Nga 61 në 46 bashki, Maliqi përballet me ndryshimin e madh territorial
- 1 hour ago
- 1 min read
Partia Socialiste ka prezantuar propozimin për Reformën Territoriale, ku parashikohet riorganizimi i njësive të qeverisjes vendore dhe shkrirja e 15 bashkive në vend.
Sipas propozimit, bashkitë që do të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.
Modeli i ri synon të ruajë bashkinë si njësinë kryesore të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Një nga ndryshimet kryesore në këtë skemë është krijimi i një niveli të ri organizimi vendor, i quajtur “Qyteti”. Kjo strukturë do të zëvendësojë modelin aktual “Bashki – Njësi Administrative” me modelin e ri “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.
Sipas propozimit, qyteti do të ketë një rol më të madh në planifikim, përfaqësim dhe koordinimin e shërbimeve publike, ndërsa do të ketë edhe një nënkryetar përgjegjës për administrimin e këtij niveli.
Në praktikë, reforma parashikon konsolidimin e 28 bashkive aktuale në 13 bashki të reja.
Numri i përgjithshëm i bashkive do të ulet nga 61 në 46, ndërsa struktura e re do të përfshijë 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.
Sipas draftit të propozuar, 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet, duke synuar një përfaqësim më të mirë dhe organizim më efikas të shërbimeve për qytetarët.
“KORÇA BOOM”
















