top of page

Nga alfabeti te puna në fabrikë: si shqiptarët e parë në SHBA mësuan anglishten dhe ndërtuan rrugën e integrimit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 2 min read

Për t’iu përgjigjur nevojave të emigrantëve shqiptarë që u vendosën në Shtetet e Bashkuara gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XX, nisën të botoheshin fjalorë dhe metoda mësimore për gjuhën angleze. Qëllimi i tyre ishte lehtësimi i integrimit dhe punësimit të shqiptarëve në shoqërinë amerikane. Këto përpjekje dokumentohen edhe në veprën “The Albanian Struggle in the Old World and New”, botuar në vitet ’30.


Në këtë vepër theksohet se disa fjalorë u përpiluan për t’i njohur amerikanët me gjuhën shqipe dhe për t’i ndihmuar shqiptarët në mësimin e anglishtes. Denis Kambury, ish-redaktor i gazetës “Dielli”, hartoi fjalorin e parë anglisht–shqip të botuar në Shtetet e Bashkuara nga një autor shqiptar. Më pas, Kostandin A. Çekrezi botoi fjalorin e tij anglisht–shqip në vitin 1923. Në vitin 1934, Nelo Drizari, banor i Bostonit, botoi një fjalor anglisht–shqip dhe shqip–anglisht. Si fjalori i Çekrezit, ashtu edhe ai i Drizarit, u pajisën me parathënie nga Faik Konica.


Përveç kontributit gjuhësor, Çekrezi botoi edhe dy vepra historike: “Historia e lashtë, mesjetare dhe moderne e Evropës” në shqip (1921) dhe “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja” në anglisht (1919). Një tjetër vepër historike në anglisht, “Shqipëria, çelësi për Lindjen e Afërt” (1919), u shkrua nga Kristo Dako, duke plotësuar listën e botimeve të autorëve shqiptarë të Massachusetts-it.


Një dëshmi e veçantë mbi përpjekjet për mësimin e anglishtes jep studiuesi dhe koleksionisti profesor Kristaq Jorgji, në librin e tij kushtuar të atit, “Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit”. Sipas tij, në vitin 1915 Llambi V. Jorgji botoi me shpenzimet e veta një metodë për mësimin e gjuhës angleze, me synimin për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Botimi u realizua në Pontiac, Michigan, kishte 50 faqe dhe një format të vogël, të përshtatshëm për përdorim praktik.


Metoda fillonte me alfabetin e gjuhës angleze dhe shqiptimin përkatës, ndërsa më pas, në 17 ndarje tematike, paraqiteshin emra dhe terma në shqip, anglisht dhe shqiptimin e tyre. Fjalori ishte i organizuar sipas fushave të jetës së përditshme, si njeriu dhe trupi, shtëpia, veshjet, sëmundjet, ngjyrat, kopshti, shtypi, shpezët dhe kafshët. Në pjesë të veçanta trajtoheshin edhe kategoritë gramatikore si përemrat, mbiemrat, foljet, ndajfoljet, lidhëzat dhe numërorët.


Në vijim përfshiheshin terma praktikë që lidhen me ditët e javës, stinët, muajt, shtetet, ndarjet e botës, ushtrinë, si dhe mjeshtëritë dhe profesionet, duke e bërë metodën veçanërisht të dobishme për emigrantët shqiptarë. Ajo konsiderohet ndër botimet e para të këtij lloji dhe i paraprin fjalorit shqip–anglisht dhe anglisht–shqip të Denis Kamburit, botuar po në vitin 1915.


Metoda pati një pritje të mirë, e ndihmuar edhe nga vlerësimi pozitiv i gazetës “Koha”, e drejtuar nga Mihal Grameno, në mars të vitit 1916. Sipas profesor Jorgjit, suksesi i saj u konfirmua edhe nga kërkesa në rritje, përfshirë interesimin e kryesisë së Federatës Panshqiptare “Vatra”.

"KORCA BOOM"


bottom of page