Nga Korça drejt majave europiane e botërore, emri i mjekut që punoi krah legjendave të sportit shqiptar
Më 23 nëntor 1948, në Korçë, lindi Isuf Saliçe, mjek, specialist i mjekësisë sportive dhe një prej emrave të rëndësishëm në zhvillimin e sportit dhe shërbimeve të rehabilitimit fizik në qytetin e Korçës.
Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1971, ai nisi karrierën si mjek në Pogradec dhe më pas në Korçë. Në vitin 1979 u emërua mjek sporti pranë K.S. “Skënderbeu”, ku nisi një punë të rëndësishme në bashkëpunim me trajnerët dhe specialistët e sportit.
Isuf Saliçe hodhi bazat e mjekësisë sportive në Korçë, duke sjellë metoda shkencore të vlerësimit dhe përmirësimit të përgatitjes sportive, në një kohë kur sporti kërkonte gjithnjë e më shumë profesionalizëm dhe mbështetje mjekësore. Puna e tij në bashkëpunim me trajnerin Piro Kasati dhe sportistë të njohur si Pavlina Evro, Anila Mekshi, Donika Hanxhara e shumë e shumë të tjerë, ishte pjesë e rrugëtimit drejt arritjeve të rëndësishme europiane dhe botërore, duke kontribuar në përgatitjen dhe sukseset e sportistëve që ngritën lart emrin e Shqipërisë.
Në vitin 1986, pranë sport-klubit “Skënderbeu”, themeloi një klinikë për trajtimin dhe vlerësimin e sportistëve, e cila më pas e zgjeroi veprimtarinë edhe në shërbim të komunitetit. Kjo nismë shënoi një hap të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve të specializuara për kujdesin shëndetësor dhe rikuperimin fizik.
Në vitin 2001, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, krijoi një shoqatë me mision rehabilitimin dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara fizike. Përkushtimi i tij u konkretizua në zhvillimin e një klinike rehabilitimi me shërbime të specializuara në fizioterapi, neurologji, ortopedi, kardiologji dhe fusha të tjera, duke trajtuar çdo vit qindra pacientë.
Isuf Saliçe përfaqëson profilin e mjekut që e ka vënë dijen, përvojën dhe pasionin në funksion të sportit dhe shëndetit të njerëzve. Një profesionist që nuk u mjaftua me ushtrimin e detyrës, por hodhi themele, krijoi një traditë dhe la pas një vepër që vazhdon të jetë në shërbim të sportistëve dhe komunitetit korçar.
shtesen e dua ne shkrim
“KORÇA BOOM”
















