Pas v*asjes që tronditi opinionin, policia ndjek pistën e hakmarrjes dhe ushtron kontrolle
Pas vrasjes së Selami Hasanit, i njohur ndryshe si “Sel Çami”, policia ka ndërmarrë veprime të tjera hetimore, duke ushtruar kontrolle në banesën e Arben Isufit, i njohur si “Ben Qimja”.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe forcat speciale RENEA, ndërsa lajmi është raportuar nga Syri TV. Kontrollet janë kryer në kuadër të hetimeve për zbardhjen e ekzekutimit dhe identifikimin e personave që mund të kenë lidhje me ngjarjen.
Arben Isufi rezulton person i shpallur në kërkim nga autoritetet, pasi dyshohet për kanosjen e një ish-avokati, i cili aktualisht ushtron detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Fierit.
Një nga pistat që po shqyrtohet nga grupi hetimor për vrasjen e Sel Çamit është ajo e hakmarrjes, duke marrë në konsideratë edhe konfliktet e hershme mes personave të përfshirë.
Sipas të dhënave të bëra publike, Hasani ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të kryer në vitin 2002, ku viktimë kishte mbetur nipi i Arben Isufit. Ky precedent po rikthehet në vëmendje në kuadër të hetimeve për të zbuluar nëse ekzekutimi i fundit mund të jetë pasojë e konfliktit të vjetër familjar.
Megjithatë, pista e hakmarrjes mbetet ende në kuadër të hetimeve dhe nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e vrasjes. Policia vijon veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e çdo lidhjeje të mundshme me konfliktet e së kaluarës.
“KORÇA BOOM”
















