Nga Korça në arenën ndërkombëtare, binjakët Meta mbeten ikonat e gjimnastikës shqiptare
- 3 days ago
- 2 min read
Data 5 gusht shënon 70-vjetorin e lindjes së binjakëve Valter dhe Adriatik Meta, dy prej emrave më të mëdhenj të gjimnastikës korçare dhe shqiptare, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit.
Të dy u rritën me pasionin për gjimnastikën dhe u bënë pjesë e brezit të artë të këtij sporti, duke përfaqësuar me dinjitet Korçën dhe Shqipërinë në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare.
Valter Meta e nisi rrugëtimin sportiv me ekipin "Shkëndia" në vitin 1970, për t'iu bashkuar më pas "Skënderbeut", së bashku me vëllain e tij Adriatik. Ai dominoi gjimnastikën shqiptare për më shumë se një dekadë, duke u shpallur kampion kombëtar për 11 vite radhazi, nga viti 1976 deri në vitin 1986.
Në karrierën e tij fitoi Kupën e Republikës dhe medalje në arenën ndërkombëtare, mes tyre medalje ari dhe bronzi në Kampionatet Ballkanike. Për arritjet e tij u nderua me titujt "Mjeshtër Sporti", "Mjeshtër i Merituar Sporti" dhe "Nderi i Sportit Shqiptar", ndërsa disa herë u rendit mes 10 sportistëve më të mirë të vendit. Prej vitit 2005 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka vijuar kontributin në gjimnastikë si pjesë e organizatës së gjimnastëve profesionistë amerikanë.
Po aq e spikatur është edhe karriera e Adriatik Metës. Kampion kombëtar dhe pjesëtar i ekipit kombëtar të gjimnastikës, ai u vlerësua me titullin "Mjeshtër i Merituar Sporti". Më pas iu përkushtua arsimit dhe shkencës sportive, duke qenë pedagog në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve "Vojo Kushi", si edhe drejtues në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes në Universitetin e Sporteve të Tiranës.
Ai ka shërbyer gjithashtu si trajner i ekipeve kombëtare, anëtar i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës dhe i Komitetit Olimpik Kombëtar
Shqiptar, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e sportit shqiptar.
Në këtë 70-vjetor, Valter dhe Adriatik Meta kujtohen me respekt dhe mirënjohje si dy figura që i dhanë lavdi gjimnastikës korçare dhe shqiptare, duke mbetur frymëzim për brezat e rinj të sportistëve.
“KORÇA BOOM”
















