Nga Redi Dondollaku/ Derbi rikthehet. A do të thyhet "mallkimi" i Pogradecit ne Korçë?
- Dec 6, 2025
- 1 min read
Nesër, në orën 15:30, stadiumi "Skënderbeu" i Korçës nuk do të presë thjesht një ndeshje futbolli, por një histori të gjatë sfidash, rivaliteti dhe një mallkim që ndjek Pogradecin sa herë ndeshet me korçarët. Derbi rikthehet, tensioni rritet dhe dy qytetet juglindore presin sfidën me padurim.
Renditja e bën situatën edhe më elektrizuese. Skënderbeu kryeson i qetë me 34 pikë, ndërsa liqenorët, në vend të tretë me 23 pikë, vijnë si skuadër që po fiton karakter. Diferenca në letër është 11 pikë, në fushë mund të jetë ndryshe.
Korçarët vijnë me pesë fitore radhazi dhe një ecuri që i ka kthyer të rrezikshëm, fiks si "ujqër bore". Nga ana tjetër, Pogradeci ka katër ndeshje pa humbje, i qëndrueshëm, me një fitore të rëndësishme në Lushnjë dhe një pikë në Laç, që i dha impaktin psikologjik që i mungonte.
Një dilemë është nëse korçarët do të jenë me moral të lartë pas episodit të shëmtuar në Fushë-Krujë, ku për dy lojtarët e tyre pretendohet se u dhunuan nga futbollistë të Ilirisë.
Një ditë para, disa pyetje janë ende në ajër:
A do të fitojë rinia dhe grinta e Çelës, apo eksperienca dhe qetësia e Gjokës?
A do të thyehet më në fund mallkimi i Pogradecit?
Kush do të dalë nga stadiumi me kokën lart, ujqërit e dëborës apo liqenorët?
Përgjigjet i ka vetëm fusha. Dhe fusha do të flasë të dielën pasdite.
"KORCA BOOM"
















