Nga trëndafilat te shfrytëzimi: Drama e fëmijëve në jetën e natës
- 2 days ago
- 2 min read
Në zonat më të frekuentuara të jetës së natës në Tirana, si Blloku dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit, është evidentuar një fenomen shqetësues që përfshin praninë dhe shfrytëzimin e fëmijëve.
Sipas prokurores Alma Bramo, aksionet e ndërmarra kanë nxjerrë në pah një realitet kompleks, ku fëmijët janë njëkohësisht viktima dhe faktor shqetësimi për ambientet e natës. “Kishte një aksion që kishte në qendër fëmijët, në dy anët e medaljes,” u shpreh ajo.
Ndërkohë, Altin Hazizaj, drejtues i Alo 116, jep detaje tronditëse mbi mënyrën se si funksionon kjo skemë shfrytëzimi. Sipas tij, shumë fëmijë që jetojnë në situatë rruge detyrohen të plotësojnë kuota të caktuara financiare nga prindërit apo persona të tjerë.
“Nëse më parë kuota ishte rreth 200 lekë, sot ajo ka arritur në 500 lekë të reja. Fëmijët që nuk e plotësojnë këtë shumë shpesh nuk lejohen të kthehen në shtëpi dhe detyrohen të qëndrojnë jashtë gjatë natës, duke fjetur në grup ose duke u fshehur në zona të ndryshme,” shpjegon Hazizaj.
Një tjetër formë shfrytëzimi lidhet drejtpërdrejt me prindërit. Sipas hetimeve, ata i nxjerrin fëmijët në orët e vona të natës, kryesisht gjatë fundjavave, në zonat më të frekuentuara të qytetit. Nga ora 23:00 deri në orët e para të mëngjesit, fëmijët qëndrojnë në rrugë duke shitur trëndafila, ndërsa prindërit – shpesh baballarët – largohen nga vendi.
Përtej shitjes, fëmijët përdoren edhe për qëllime të tjera. Sipas prokurores Bramo, ata shfrytëzohen si ndërmjetës për të krijuar kontakte mes të rriturve, duke marrë numra telefoni apo llogari në rrjete sociale kundrejt pagesave.
Ky fenomen, i njohur për frekuentuesit e jetës së natës në kryeqytet, mbetet një sfidë serioze sociale dhe ligjore. Ai nxjerr në pah nevojën për ndërhyrje më të fortë institucionale dhe ndërgjegjësim të shoqërisë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
“KORÇA BOOM”
















