Ngjiti Everestin dhe pushtoi polet, por humbi jetën në një aks rrugor në Shqipëri
- 3 hours ago
- 1 min read
Li Jianhong, një nga figurat e njohura të biznesit dhe sporteve ekstreme në Kinë, ka humbur jetën në një aksident tragjik në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, pak ditë më parë.
I lindur në dhjetor të vitit 1965 në Xinjiang, ai kishte ndërtuar një perandori të suksesshme biznesi, duke u bërë themelues i resortit të skive Silkroad Mountain Resort dhe drejtues i Xinjiang Grand Scape Group.
Karriera e tij nisi në vitin 1993, kur vendosi të largohej nga sektori i telekomunikacionit për të ndjekur sipërmarrjen private. Nën drejtimin e tij, kompania u shndërrua në një grup të fuqishëm me investime në turizëm, teknologji dhe menaxhim kapitali.
Përtej suksesit në biznes, Li Jianhong ishte një aventurier i pasionuar dhe sportist i nivelit të lartë. Ai kishte përfunduar sfidën Explorer’s Grand Slam, duke ngjitur shtatë majat më të larta të kontinenteve, përfshirë Mount Everest, si dhe duke arritur në të dy polet e Tokës.
Humbja e tij në Shqipëri përbën fundin tragjik të një jete të mbushur me arritje të jashtëzakonshme, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në turizmin dimëror dhe sportet ekstreme.
“KORÇA BOOM”
















