top of page

Ngricat “shkatërrojnë” Devollin, fermerët përballë humbjeve katastrofike

  • 1 hour ago
  • 1 min read

Fermerët e fshatrave të Devollit po kalojnë një nga sezonet më të vështira të viteve të fundit, pas dëmeve të mëdha që ngricat e fillimit të muajit maj kanë shkaktuar në pemishtet e zonës.


Temperaturat e ulëta kanë goditur rëndë frutikulturën, duke dëmtuar pothuajse totalisht prodhimin e mollëve, qershive dhe kumbullave. Sipas fermerëve, në disa zona humbjet kanë arritur deri në 95–100%, duke lënë pa të ardhura qindra familje që jetojnë kryesisht nga bujqësia.


Banorët tregojnë se frutat e sapoformuara janë ngrirë dhe tashmë po bien nga pemët, çka do të thotë se për këtë vit nuk pritet pothuajse asnjë prodhim për treg.


Fermerët shprehen se situata është tepër e rëndë, pasi përveç humbjes së prodhimit, ata duhet të vazhdojnë të investojnë për mirëmbajtjen e pemishteve. Sipas tyre, pemët kërkojnë trajtime dhe kujdes të vazhdueshëm, pasi mungesa e ndërhyrjeve agronomike mund të sjellë dëmtime edhe më të mëdha dhe të rrezikojë prodhimin e vitit të ardhshëm.


Në shumë fshatra të Devollit, frutikultura është burimi kryesor i të ardhurave dhe dëmet e këtij sezoni pritet të kenë ndikim të fortë në ekonominë familjare dhe në gjithë sektorin bujqësor të zonës.


Fermerët kërkojnë mbështetje dhe vëmendje nga institucionet, ndërsa paralajmërojnë se situata po bëhet gjithnjë e më alarmante për të ardhmen e bujqësisë në këtë zonë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page