Një ekip fshihet nga lista, shuhet zyrtarisht një emër 100-vjeçar i futbollit shqiptar
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Zyrtarisht, Klubi i Futbollit Luftëtari i Gjirokastrës nuk ekziston më as në aspektin ligjor. Pas afro pesë vitesh pa aktivitet dhe problemeve të shumta që pasuan dënimin nga FIFA, historia mbi 100-vjeçare e bluzinjve është mbyllur përfundimisht. Megjithatë, bashkë me mbylljen formale të klubit, nuk shuhen kujtimet, emocionet dhe trashëgimia që Luftëtari ka lënë te tifozët e tij dhe në qytetin e gurtë.
I themeluar fillimisht në vitin 1926 me emrin “Shqiponja”, klubi gjirokastrit u konsolidua si strukturë sportive në vitin 1929, duke u kthyer ndër vite në një nga simbolet e futbollit shqiptar. Në dekada, Luftëtari ka nxjerrë dhe formuar emra të njohur të futbollit kombëtar si Theodhori Kalluci, Sefedin Braho, Lefter Millo, Arjan Xhumba, Arjan Bellaj, Altin Haxhi, Astrit Boni, Gjergji Kalluci e shumë të tjerë, që kanë kontribuar në historinë e sportit shqiptar.
Vendimi për përjashtimin zyrtar të KF Luftëtarit u mor në mbledhjen e fundit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, më 26 janar 2026. Me 9 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore vendosi përjashtimin e klubit nga anëtarësia, duke formalizuar kështu mbylljen përfundimtare të tij.
“Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e SHRF Gjirokastër, me 9 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime, vendosi të përjashtojë Klubin e Futbollit Luftëtari SH.A nga anëtarësia për arsye të mbylljes së aktivitetit”, thuhet në vendimin zyrtar të Asamblesë.
Që prej vitit 2021, pas dënimit nga FIFA për shkak të borxheve të pashlyera ndaj ish-zyrtarëve, KF Luftëtari kishte ndërprerë pjesëmarrjen në aktivitetet sportive. Bashkia e Gjirokastrës, në cilësinë e pronarit të klubit, vendosi ta “shkrijë” ekipin ligjërisht dhe të krijojë një strukturë të re, Akademinë e Futbollit Luftëtari (AF Luftëtari), e cila aktualisht përfaqëson qytetin dhe merr pjesë në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar.
Kështu, një kapitull i rëndësishëm i futbollit shqiptar mbyllet zyrtarisht, ndërsa emri Luftëtari mbetet i gdhendur në historinë sportive të Gjirokastrës dhe në kujtesën e tifozëve të tij.
"KORCA BOOM"


















