top of page

Një telefon, shumë probleme: Edi Rama shpall celularin si kërcënim për arsimin dhe kërkon rregulla të reja në shkolla

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Oct 10, 2025
  • 1 min read

Fjala e fundit e Kryeministrit Edi Rama, mbajtur në kuadër të testit ndërkombëtar TALIS, ka tërhequr vëmendjen për disa çështje të rëndësishme që lidhen me arsimin dhe brezin e ri, me theks të veçantë tek përdorimi i telefonave celularë në shkolla.


Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se përdorimi i celularëve është kthyer në një “epidemi” në shkolla dhe sinjalizoi se do të merren masa për ndalimin e tyre. Ai la të kuptohet se kjo do të realizohet me një vendim të Ministrisë së Arsimit.


Në një ton që përfshinte edhe batuta, Rama i krahasoi nxënësit e sotëm me brezin e mëparshëm, duke përdorur shprehjen “çerrat e sotëm”, dhe duke thënë se ata kanë shumë më tepër informacion se më parë, por që është informacion i pakontrolluar dhe i paorientuar. Ai e përshkroi celularin si një “shok në xhep” që ndjek nxënësit në çdo moment dhe i tërheq drejt përmbajtjeve që, sipas tij, janë pa vlerë dhe të dëmshme.


Ai u shpreh se nxënësit vijnë në shkollë me celularë të cilët i fshehin sa munden dhe sapo dalin nga shkolla, lidhen menjëherë me botën tjetër përmes ekranit. Sipas tij, përmbajtjet që ata ndjekin janë shpesh të papërshtatshme dhe ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre.


Në fund të fjalës së tij, Rama theksoi se brezi i vjetër ka ndryshuar, por ka ende rol për të ndihmuar të rinjtë. Ai shprehu besimin se me bashkëpunimin e mësuesve dhe institucioneve, do të ketë masa konkrete për të përmirësuar situatën në shkolla, përmes kufizimit të ndikimeve të dëmshme si ai i telefonave.

“KORÇA BOOM”


bottom of page