Një tjetër armë për sulmin, Skënderbeu afron lojtarin e Kombëtares së Kongos
- 1 day ago
- 1 min read
Skënderbeu ka siguruar shërbimet e një tjetër futbollisti të ri me potencial. Bëhet fjalë për Declan Moussavou, sulmues krahu me origjinë nga Kongo, i cili më 7 gusht mbush 20 vjeç.
Moussavou aktivizohet kryesisht në krahun e majtë të sulmit, por luan me këmbën e djathtë, një karakteristikë që i jep mundësi të jetë i rrezikshëm edhe në depërtimet drejt qendrës.
Karrierën e tij e ka zhvilluar në kampionatin kongolez me AC Leopards of Dolisie, ndërsa në vitin 2025 mori për herë të parë ftesën nga Kombëtarja A e Kongos. Deri më tani ai numëron pesë ndeshje dhe dy gola me përfaqësuesen, të realizuar në kualifikueset e Kupës së Botës dhe Kupës së Kombeve të Afrikës.
Në sezonin 2024-2025, Moussavou zhvilloi edhe dy ndeshje në fazën paraeliminatore të Champions League të Afrikës me klubin e tij, duke fituar përvojë edhe në arenën ndërkombëtare.
Një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e tij ishte pjesëmarrja në Viareggio Cup në Itali, në shkurt të vitit 2024. Në këtë turne prestigjioz për moshat, ai u aktivizua me ekipin U-18 të Torinos dhe arriti të shënonte edhe një gol, duke tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij.
Me moshën e re, eksperiencën ndërkombëtare dhe profilin e një sulmuesi të shpejtë e teknik, Declan Moussavou konsiderohet një investim me perspektivë për Skënderbeun dhe një futbollist që pritet të sjellë më shumë alternativa në repartin ofensiv të bardhekuqve.
“KORÇA BOOM”
















