top of page

Paga 4 mijë euro dhe dieta të majme, sa përfitojnë deputetët nga buxheti

  • Mar 6
  • 2 min read

Ligjvënësit shqiptarë kanë ndërhyrë dy herë në vitet e fundit për të rishikuar trajtimin financiar të tyre, fillimisht në vitin 2014 dhe më pas në vitin 2023.


Në rastin e parë u përcaktuan dietat, vlera e karburantit, pagesat për telefon dhe tarifat për pjesëmarrjen në komisionet parlamentare, ndërsa në vitin 2023 pagat e deputetëve u rritën me rreth 60%, duke arritur në 395.000 lekë në muaj, ose rreth 4 mijë euro.


Me ligjin nr. 114 të vitit 2014, deputetët ndryshuan ndjeshëm vlerën e dietave dhe bonuseve të tjera si karburanti dhe telefoni, duke i rritur ato. Në pikën 7 të vendimit përcaktohet se deputeti përfiton dieta ditore për ditët e shërbimit brenda vendit në masën 4 për qind të pagës bazë, si dhe vlerë hoteli deri në 3.000 lekë për natë, kundrejt faturës tatimore dhe printimit të kasës elektronike.


Deputetët që kanë vendbanimin në qarkun e Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj për shërbime jashtë këtij qarku. Sa i përket shpenzimeve për karburant dhe telefon, deputetët me banim në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan përfitojnë nga 30 mijë deri në 33.700 lekë në muaj, ndërsa për qarqet e tjera kjo shumë arrin deri në 40 mijë lekë.


Një nga pagesat që ka mbetur e pandryshuar që prej vitit 2014 është ajo për shpenzimet telefonike. Deputetët përfitojnë 17.000 lekë në muaj për telefon, ndërsa kryetarët e grupeve parlamentare 20.000 lekë.


Sipas një verifikimi të bërë nga Faktoje.al mbi ofertat e kompanive mobile në vend, tarifat mujore për telefon dhe internet pa limit, përfshirë edhe minuta për thirrje ndërkombëtare, variojnë nga 2.500 deri në 3.000 lekë në muaj. Megjithatë, pavarësisht uljes së vazhdueshme të tarifave ndër vite, pagesa për deputetët për këtë zë mbetet e fiksuar në 17.000 lekë në muaj.


Nga të dhënat e analizuara për disa muaj rezulton se disa deputetë kanë refuzuar të përfitojnë nga disa prej këtyre kompensimeve. Mes tyre janë Bujar Leskaj, Agron Shehaj, Sali Berisha dhe Blendi Klosi.


Veçanërisht bie në sy rasti i Bujar Leskajt, i cili përveç refuzimit të dietave ushqimore nuk ka përfituar as pagesën prej 17.000 lekësh për shërbim telefonik, edhe pse ka marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare.


Ndërkohë, shumica e deputetëve të tjerë përfitojnë shuma të konsiderueshme në zërin “dieta ushqimore brenda vendit”. Tarifa më e shpeshtë që shfaqet në këtë kategori është 148.920 lekë në muaj për secilin deputet.


Nëse në listë ka disa deputetë që rezultojnë me shpenzime më të ulëta, pjesa më e madhe paraqitet me shifra të larta, në disa raste duke përfituar edhe vlerën maksimale të mundshme.

"KORCA BOOM"


bottom of page