Parakalim i rrezikshëm në aksin Bilisht–Korçë, qytetari: ‘Për pak humbëm jetën’
- Apr 7
- 1 min read
Një situatë e rrezikshme është raportuar në aksin rrugor Bilisht–Korçë, pranë zonës së Belortasë, ku një qytetar ka denoncuar një manovër të rrezikshme nga ana e një drejtuesi mjeti.
Në mesazhin e mbërritur në redaksi, ai shprehet i tronditur nga ajo që ka ndodhur, duke theksuar se situata mund të kishte përfunduar në tragjedi. Sipas tij, një shofer ka kryer një parakalim të rrezikshëm, duke vënë në rrezik jetën e disa personave që ndodheshin në rrugë në atë moment.
“Një shofer i papërgjegjshëm me një parakalim të tmerrshëm për pak sa nuk shkaktoi aksident në rrugën Bilisht-Korçë, pak para Belortasë. Dy familje mund të kishin humbur sot nga njerëz që nuk kanë dëshirë të ndryshojnë dhe nuk u bëhet vonë për të tjerët,” shprehet qytetari.
Ai shton se po udhëtonte me familjen nga Greqia drejt Shqipërisë për pushime, kur u përball me këtë situatë të rrezikshme. “Vijmë për pushime nga Greqia dhe për pak sa nuk na iku jeta nga një njeri i tillë,” thekson ai.
Ngjarja rikthen në vëmendje rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe nevojën për më shumë kujdes nga drejtuesit e mjeteve, në mënyrë që të shmangen aksidentet dhe pasojat e rënda në rrugët e vendit.
“KORÇA BOOM”
















