Parkimi me pagesë nis me gjoba, qytetarët përballen me rregullat e reja që në ditën e parë
Ka nisur zbatimi i parkimit me pagesë në rrugët dhe sheshet e qytetit të Durrësit, një masë që synon të rregullojë përdorimin e hapësirave të parkimit dhe të shmangë qëndrimet e gjata të automjeteve në zonat e përcaktuara.
Që në ditën e parë të aplikimit, një pjesë e qytetarëve nuk kanë qenë të sensibilizuar me rregullat e reja. Për pasojë, Policia Bashkiake ka vendosur edhe gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve që nuk kanë respektuar mënyrën e re të parkimit.
Pagesa e parkimit mund të kryhet nëpërmjet telefonit, me anë të një mesazhi, ose përmes kartës bankare, duke e bërë procesin më të lehtë dhe më të shpejtë për qytetarët.
Në terren ndodhen punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët po kontrollojnë zbatimin e rregullave, por njëkohësisht po ofrojnë edhe orientim dhe ndihmë për qytetarët që kanë paqartësi lidhur me mënyrën e pagesës.
Autoritetet paralajmërojnë se në ditët në vijim kontrollet do të vijojnë dhe do të merren masa penalizuese edhe ndaj drejtuesve që lënë automjetet e tyre të parkuara për një kohë të gjatë në hapësirat e përcaktuara.
Qytetarët pritet që gradualisht të familjarizohen me sistemin e ri, ndërsa Policia Bashkiake do të vijojë monitorimin e zonave ku aplikohet parkimi me pagesë.
“KORÇA BOOM”
















