top of page

Peleshi pyetet për akuzat e Spiropalit ndaj Ballukut, ja si përgjigjet kreu i Kuvendit

3 hours ago
1 min read

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar në Korçë lidhur me deklaratat e deputetes socialiste Elisa Spiropali, e cila ka kritikuar mënyrën e qeverisjes dhe ka hedhur akuza për emërimet në administratën publike, duke cilësuar Belinda Ballukun si modelin më të keq të qeverisjes.


I pyetur nga mediat për pretendimet e Spiropalit, Peleshi shmangu komentet e drejtpërdrejta ndaj saj, por u ndal te çështja e meritokracisë, duke pranuar se mbetet ende një sfidë për Shqipërinë.


Ai deklaroi se janë bërë hapa të rëndësishëm për depolitizimin e administratës dhe për garantimin e përzgjedhjes së punonjësve mbi bazën e meritave, duke përmendur si shembull procesin e punësimit të mësuesve përmes portalit, si dhe sektorë të tjerë si policia, diplomacia dhe shëndetësia.


“Nuk mund të komentoj fjalë pas fjale askënd, por mund të marr vetëm subjektin e asaj që u parashtrua dhe që ka lidhje me meritokracinë, për të cilën, pa hezituar dhe pa e fshehur, do të thosha që mbetet një sfidë. Nuk mund të themi që ia kemi dalë 100% për të pasur një administratë totalisht meritokratike”, u shpreh Peleshi.


Kreu i Kuvendit theksoi se, pavarësisht përparimeve të bëra, meritokracia nuk është arritur në të gjithë administratën publike dhe mbetet një objektiv për t'u zgjeruar në çdo sektor.


Në këtë kontekst, ai përmendi edhe krijimin e ministrisë së re për administratën publike, duke e cilësuar si një hap në drejtim të reformimit të mëtejshëm të institucioneve dhe përafrimit të tyre me standardet europiane.


Në fund, Peleshi përsëriti se nuk dëshiron të komentojë deklaratat apo cilësimet e personave të tjerë, duke nënvizuar se në prononcjet e tij preferon të flasë për mendimet dhe qëndrimet personale.

“KORÇA BOOM”


bottom of page