Performancë e lartë dhe fitime rekord për klubet shqiptare
- Korca Boom
- 15 hours ago
- 1 min read
Dy klubet shqiptare, Shkëndija dhe Drita, po kalojnë një sezon shumë pozitiv në arenën europiane. Të dy skuadrat po garojnë në UEFA Conference League dhe kanë treguar paraqitje të një niveli të lartë, duke u përballur denjësisht me rivalë të fortë nga kontinenti.
Shkëndija e Tetovës, me dy fitore, një barazim dhe dy humbje, renditet aktualisht në vendin e 21-të të tabelës me 7 pikë. Nga ana tjetër, Drita po paraqitet edhe më mirë në aspektin e rezultateve, duke grumbulluar 8 pikë falë dy fitoreve, dy barazimeve dhe një humbjeje, çka e pozicionon ekipin kosovar në vendin e 19-të.
Paraqitjet pozitive në fushë janë reflektuar edhe në aspektin financiar. Deri në këtë fazë të kompeticionit, secili klub ka përfituar rreth 6 milionë euro nga UEFA, duke e çuar totalin e fitimeve për dy ekipet shqiptare në 12 milionë euro.
Këto shifra pritet të rriten edhe më shumë nëse Shkëndija dhe Drita arrijnë të avancojnë në fazat e tjera të UEFA Conference League, duke e bërë këtë sezon jo vetëm të suksesshëm sportivisht, por edhe historik në aspektin ekonomik për futbollin shqiptar.
"KORCA BOOM"



















