top of page

Petrika Vangjeli analizon Botërorin: Kur “Davidi” sfidon dhe mund “Goliathin”

  • 1 hour ago
  • 2 min read

Futbolli i ditëve të sotme, në arenën ndërkombëtare, po thyen gjithnjë e më shumë barrierat dhe paragjykimet historike që kanë ekzistuar ndaj skuadrave të konsideruara “të vogla”.


Çdo kompeticion madhor, qoftë për klube apo kombëtare, po dëshmon vit pas viti se diferencat tradicionale nuk janë më aq të mëdha sa dikur.


Reduktimi i hendekut mes ekipeve nuk lidhet vetëm me shtimin e numrit të pjesëmarrësve në turne, por mbi të gjitha me rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe afrimin e niveleve në katër komponentët kryesorë të futbollit modern: aspektin fizik, teknik, taktik dhe psikologjik.


Megjithëse parametrat financiarë janë rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit dhe diferencat ekonomike mes klubeve apo kombëtareve të mëdha dhe atyre më modeste janë thelluar, kjo nuk është reflektuar domosdoshmërisht në rezultatet sportive. Përkundrazi, shumë skuadra me burime më të kufizuara kanë arritur të sfidojnë me sukses favoritët dhe të marrin rezultate të rëndësishme.


Edhe Kampionati Botëror që po zhvillohet aktualisht po ofron shembuj domethënës në këtë drejtim. Skuadra pa traditë të madhe në këtë nivel, apo vende me popullsi sa një lagje e një metropoli europian, po tregojnë se mund të konkurrojnë denjësisht dhe madje të arrijnë rezultate befasuese ndaj emrave të mëdhenj të futbollit botëror.


Ndonëse futbolli modern shpesh kritikohet nga nostalgjikët që e krahasojnë me lojën e viteve ’70 dhe ’80, këto histori suksesi tregojnë se thelbi i këtij sporti vazhdon të mbetet i paprekur. Paparashikueshmëria, emocionet dhe mundësia që “Davidi” të mposhtë “Goliathin” vazhdojnë të jenë elementët që e bëjnë futbollin sportin më të dashur dhe më të ndjekur në botë.


Në fund, pikërisht kjo aftësi për të sfiduar logjikën dhe hierarkitë e vendosura e mban gjallë magjinë e futbollit dhe frymëzon miliona tifozë anembanë globit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page