top of page

PISA kthehet në trofe politik, Rama: Shqipërinë e ngritëm nga fundi në vendin e parë

Sep 13
2 min read

Edi Rama ia atribuoi rezultatin e Shqipërisë në PISA 2025 transformimit të sistemit arsimor, investimeve në infrastrukturë, administrimit të shkollave dhe bashkëpunimit me prindërit. Sipas kryeministrit, vendi e nisi ngjitjen nga fundi i renditjes dhe sot mban vendin e parë në matematikë...


Kryeministri Edi Rama ka përdorur rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025 për të mbrojtur bilancin e qeverisë së tij në arsim.


Gjatë episodit të publikuar sot të podcastit “Flasim”, Rama deklaroi se rezultati i Shqipërisë nuk lidhet vetëm me meritën e nxënësve, por edhe me ndryshimet që, sipas tij, janë bërë gjatë viteve në sistemin arsimor.


Kryeministri e cilësoi rezultatin si produkt të një pune të gjatë dhe të një “transformimi tërësor”, duke përmendur investimet në infrastrukturën shkollore, tekstet, administrimin e shkollave, Shkollën e Drejtorëve dhe bashkëpunimin mes shkollës dhe prindërve.


Rama këmbënguli se nxënësit kanë pasur meritën e tyre edhe në testimet e mëparshme, por sipas tij, sistemi nuk i kishte krijuar kushtet e nevojshme që kjo të reflektohej në rezultate.


“Shqipëria e filloi këtë ngjitje nga fundi, të fundit në distancë nga të tjerët dhe sot jemi të parët në matematikë”, deklaroi Rama.


Kryeministri e lidhi rezultatin drejtpërdrejt me politikat e ndjekura në arsim, duke e paraqitur PISA 2025 si provë të efektit të reformave të qeverisë.


“Nuk mund të rri dot pa e shfrytëzuar këtë rast për të shprehur kënaqësinë e jashtëzakonshme për rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025, të cilat janë fryt i një pune të gjatë, i një transformimi tërësor, një përpjekjeje për të rritur jo thjesht cilësinë e infrastrukturës, teksteve, administrimit të shkollave”, tha Rama.


Ai përmendi gjithashtu drejtuesit që kalojnë përmes Shkollës së Drejtorëve dhe atë që e cilësoi si intensifikim të ndërveprimit mes shkollave dhe prindërve.


“Nuk u heq asnjë presje atyre që nënvizojnë meritën e nxënësve, por nga ana tjetër nxënësit ishin po aty, ndërkohë që pjesët e tjera nuk ishin aty siç duhet dhe prandaj rezultatet e PISA-s nuk ishin të tilla”, deklaroi kryeministri.


Rama duket se po e përdor rezultatin e PISA 2025 për të ndërtuar argumentin se përmirësimi nuk përfaqëson një rezultat të izoluar të nxënësve, por pasojë të drejtpërdrejtë të ndryshimeve që qeveria pretendon se ka bërë në sistemin arsimor./ Ora news

“KORÇA BOOM”


bottom of page