top of page

Policia e Korçës paralajmëron kontrolle dhe monitorim gjatë netëve të Festës së Birrës

Aug 12, 2025
1 min read

Nga data 13 gusht deri më 17 gusht 2025, në ambientet e brendshme të terminalit të autobusëve dhe në zonën e Pazarit të Vjetër të qytetit të Korçës, do të zhvillohet eventi i përvitshëm i Festës së Birrës.


Aktivitetet do të nisin çdo mbrëmje në orën 20:00 dhe do të zgjasin deri në orën 01:00, duke pritur pjesëmarrje të lartë nga qytetarët vendas dhe vizitorët nga rrethet e tjera.


Për të garantuar zhvillimin normal dhe të sigurt të këtij eventi, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, në bashkëpunim me strukturat në vartësi dhe autoritetet vendore, ka hartuar një plan të detajuar masash.

Masat e marra përfshijnë garantimin e rendit dhe qetësisë publike, përmes kontrolleve të vazhdueshme në zonat ku do të zhvillohen aktivitetet, si dhe në rrugët dhe akset hyrëse në qytet.


Gjithashtu, do të merren masa për përforcimin e sigurisë rrugore, disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve, parandalimin e aksidenteve automobilistike dhe orientimin e trafikut në rrugët me ngarkesë më të madhe.


Policia do të fokusohet në parandalimin e çdo veprimi të paligjshëm, përfshirë krimet kundër personit, pronës, krimet financiare, veprimtaritë në fushën e narkotikëve, si dhe në kontrollin e personave me precedent penal.


Gjatë ditëve të eventit do të kryhen patrullime të vazhdueshme dhe kontrolle të përbashkëta ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, në të gjitha zonat ku pritet grumbullim masiv i qytetarëve.


Policia e Korçës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me forcat e rendit, të respektojnë udhëzimet dhe të kontribuojnë për një festë të qetë dhe të sigurt. Qëllimi është një atmosferë festive pa incidente, në respekt të ligjit dhe të komunitetit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page