“Politikë e re pagash”: Qeveria premton rritje të përvitshme për administratën, mësuesit dhe policinë
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 1 min read
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se duke filluar nga viti 2026, pagat e punonjësve të administratës publike – si në nivel qendror, ashtu edhe vendor – do t’i nënshtrohen indeksimit vjetor automatik, një praktikë e re që do të garantojë rritje të vazhdueshme të të ardhurave për çdo kategori në sektorin publik.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama theksoi se kjo nismë përfshihet në projektbuxhetin e vitit 2026 dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në fuqinë blerëse të mbi dhjetëra mijëra punonjësve.
Sipas tij, 10.600 punonjës shërbimi do të përfitojnë një rritje prej 10 mijë lekësh të reja në muaj, specialistët e administratës publike do të kenë 5 mijë lekë më shumë, ndërsa mësuesit do të përfitojnë një shtesë prej 3 mijë lekësh në muaj.
Gjithashtu, Rama njoftoi se në sektorin e Shëndetësisë dhe atë të Policisë së Shtetit do të nisë zbatimi i përllogaritjes së vjetërsisë në punë, që do të sjellë përfitime shtesë për punonjësit me eksperiencë.
“Kjo është një politikë e re pagash që, e kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i pagës minimale, shton gati 100 milionë euro në vitin 2026 për rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Shqipëria është në një nivel tjetër, dhe ky fakt do të bëhet çdo vit e më i prekshëm,” deklaroi Kryeministri.
"KORCA BOOM"



















