Pranga në polici për ndërtimet, në kërkim Shefi i Krimeve
- 3 minutes ago
- 1 min read
Një operacion i gjerë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka goditur këtë të premte drejtues dhe efektivë të Policisë së Sarandës, në kuadër të hetimeve për abuzime me ndërtimet pa leje në zonat bregdetare të jugut.
Burime paraprake bëjnë me dije se në pranga ka rënë Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, ndërsa është shpallur në kërkim edhe Shefi i Krimeve të Sarandës. Bashkë me ta janë arrestuar edhe dy specialistë të policisë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera në vijim të operacionit.
Hetimet janë përqendruar në dyshimet se punonjës policie kanë shpërdoruar detyrën duke toleruar ose favorizuar ndërtime pa leje në zonat më të lakmuara turistike të jugut, kryesisht në Sarandë dhe Ksamil.
Operacioni u zhvillua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me strukturat hetimore, pas dyshimeve të ngritura për mosveprim ndaj ndërtimeve të paligjshme në vijën bregdetare. Sipas informacioneve paraprake, efektivët e përfshirë dyshohet se kanë pasur rol aktiv ose kanë lejuar vazhdimin e punimeve në kundërshtim me ligjin.
Kontrollet dhe veprimet hetimore janë shtrirë në Sarandë, Ksamil dhe zona të tjera përreth, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje mbi akuzat dhe personat e përfshirë.
Ky operacion vjen në një kohë kur çështja e ndërtimeve pa leje në bregdet është kthyer në një nga problematikat më të diskutuara, për shkak të ndikimit në territor dhe zhvillimin urban të zonave turistike.
“KORÇA BOOM”
















