Protesta në Maliq/ Banorët: Të rishikohet Reforma Territoriale, deputetët e Korçës të mos e votojnë
- 10 hours ago
- 2 min read
Banorë të qytetit të Maliqit dhe zonave përreth protestuan këtë të diel para godinës së Bashkisë Maliq kundër projektit të Reformës Territoriale, e cila planifikon që kjo njësi t'i kalojë Bashkisë Korçë.
Me pankarta dhe thirrje kundër ndryshimit të hartës administrative, protestuesit thanë se një vendim i tillë do të sjellë humbjen e funksioneve administrative, rënie të aktivitetit ekonomik dhe vështirësi për qytetarët në marrjen e shërbimeve.
Protestuesi Jurgen Isufllari, tha se nisma për kundërshtimin e reformës nisi nga shqetësimi se Maliqi rrezikon të humbasë identitetin dhe rolin e tij si bashki. Ai kërkoi transparencë për mënyrën se si është propozuar bashkimi me Korçën, duke theksuar se Maliqi është një bashki me shtrirje të madhe territoriale dhe me profil të qartë bujqësor, çka sipas tij e bën të pajustifikuar shkrirjen e saj. Isufllari u shpreh gjithashtu i zhgënjyer nga mungesa e reagimit të përfaqësuesve politikë dhe administratës, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të mos votojnë këtë ndryshim në Parlament.
"Unë kam qenë i pari që kam nisur këtë protestë, kam bërë thirrje sepse kam kuptuar që diçka e pisët dhe diçka e keqe po luhet për këtë qytet. Në fakt, unë vij nga një fshat këtu dhe më vjen shumë keq që nuk po shikoja asnjë nga Maliqi. Është e çuditshme se kush e ka hedhur ose kush e ka nxjerrë nga goja shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe kush e ka firmosur.
Pra, dua të di se cila është ajo dorë që ka firmosur shkrirjen e këtij qyteti dhe jo të kësaj godine, sepse kjo në fund të fundit është një godinë, por qyteti është ai që do të shkrihet dhe këtu nuk do të ketë më asnjë funksion, nuk do të ketë më asnjë kafene, asnjë furrë buke dhe këtu do të ngelet një xhep edhe nuk do të ketë më asnjë gjë që do të kalojë.
Pra, jemi një bashki e madhe me 81 fshatra, me 31 mijë banorë dhe kemi një shtrirje shumë të madhe. Pra, jemi nga bashkitë më të mëdha që ne mund të quheshim shumë mirë një bashki bujqësore sepse territori është një fushë dhe ne nuk kemi se si mund të bashkohemi me Korçën.
Ne nuk kemi asnjë problem me Korçën, por Korça mund të jetë e fokusuar tek turizmi dhe ne tek bujqësia. Unë jam shumë i zhgënjyer sot me administratën dhe ndjehem shumë i tradhtuar. Nuk kam frikë t'i them gjërat siç janë, ndjehemi i tradhtuar nga të gjithë kolegët sepse sot më duket sikur jam i shitur nga ata, por unë do të luftoj për ata, do të jem këtu edhe kur të kaloj këtu në Maliq do të kaloj me kokën lart. Në fakt unë edhe në postimet e mia i kam bërë thirrje të gjithë deputetëve, qoftë edhe ai që ka marrë një votë, që ka përgjegjësi dhe nuk duhet të votojë shkrirjen në parlament të Bashkisë Maliq”,-tha ai.
Protestuesit argumentuan se një reformë e tillë nuk do të ndikojë vetëm në administratë, por edhe në jetën ekonomike dhe sociale të qytetit. Sipas tyre, largimi i institucioneve do të sjellë më pak lëvizje qytetarësh, më pak konsum për bizneset lokale dhe më pak investime për zonën. CNA.al
“KORÇA BOOM”














