top of page

Përmbytjet prekën mbi 400 hektarë tokë, Fermerët e MALIQIT: Dëmshpërblimet e premtuara nuk kanë mbërritur ende

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Dy përmbytje masive, në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti, bënë që më shumë se 400 hektarë tokë bujqësore në fushën e Maliqit të mbeteshin nën ujë, duke shkaktuar dëme të mëdha për fermerët.


Në atë kohë ishte ministri i Bujqësisë ai që premtoi dëmshpërblim për fermerët, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur.


Geni Fraholli, një nga fermerët e fshatit Sheqeras, tregon se i gjithë prodhimi i mbjellë u dëmtua, ndërsa dëmshpërblimet e premtuara ende nuk janë marrë.


“Mua më u përmbytën 18 hektarë, shkon goxha, 7-8 milionë lekë, gjithë gjërat. Grurë dhe elb. Misrin ende nuk e mbjellim dot, sepse nuk ka ikur uji nga fusha. Na erdhi ministri, por nuk na dha. Bëmë gjithë dokumentet”, tha Fraholli.


Një gjë të tillë e pranon edhe drejtori i Bujqësisë në Bashkinë e Maliqit, Aurel Zenullari, i cili thotë se fermerët kanë të drejtë në kërkesën e tyre për dëmshpërblime, të cilat ende nuk janë dhënë.


“Fermerët kanë të drejtë. Në muajin dhjetor dhe janar kemi pasur disa dëmtime nga këto përmbytje. Kemi grurin që është i përmbytur, misrin që ishte i pakorrur dhe parcelat që nuk kanë mundësi të mbillen, pasi uji është ende prezent në këto sipërfaqe. Nga ana e bashkisë janë marrë masat, janë mbajtur procesverbalet, askush nuk është përjashtuar nga ky regjistrim. Janë përcjellë shkresat dhe jemi në pritje të një përgjigjeje, e cila ende nuk ka ardhur për fermerët”, Zenullari.


Bashkia e Maliqit ka përjashtuar nga detyrimi i taksave vendore fermerët që ende kanë tokat nën ujë, ndërsa dëmi ekonomik për ta mbetet shumë i madh./ Euronews

“KORÇA BOOM”


bottom of page