top of page

Rama dhe Mickoski inaugurojnë “One Stop Shop” në Qafë-Thanë, kryeministri: Lehtësim për miliona njerëz, do të vijojmë dhe në pikat e tjera

1 minute ago
2 min read

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, kanë inauguruar paraditen e kësaj të diele sistemin e integruar kufitar “One Stop Shop” në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës.


Rama e cilësoi këtë sistem një hap konkret drejt lehtësimit të lëvizjes për miliona qytetarë që kalojnë kufirin mes dy vendeve. Ai theksoi se sistemi i ri do t’i japë fund kontrolleve të dyfishta, duke e përmbledhur ndryshimin me shprehjen: “Deri tani ishte kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo”.


Kryeministri u shpreh se synimi i radhës është eliminimi i plotë i kontrolleve kufitare, në kuadër të rrugëtimit të përbashkët drejt Bashkimit Europian. Ai përmendi gjithashtu rëndësinë për të çuar përpara Korridorin 8.


“Unë kam përherë probleme me përkthimin kur vij në Maqedoni. Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: beso dhe kontrollo. Deri tani, në këtë doganë ishim kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo.


Hapi tjetër: beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE. Dua ta përgëzoj kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Padiskutim, njëra ndër to është të çojmë përpara Korridorin 8.


Në mbyllje, dua t’u bashkohem kryeministrit Mickoski për të falënderuar ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që, siç thashë, do t’u vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem. Kam edhe një ankesë për Hristijanin. Përkthyesen më të mirë e mbajti për vete”, tha Rama.


Ndërkohë, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, e vlerësoi sistemin e ri si një lehtësim të rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe shprehu gatishmërinë për shtrirjen e këtij bashkëpunimi edhe në pika të tjera kufitare.


“Për mua është nder i veçantë që së bashku me mua është miku im i dashur Edi Rama. Në këtë eveniment të rëndësishëm dëshiroj të uroj këtë festë të rëndësishme si 22 Nëntori, festa e Alfabetit. Është kënaqësi që po bëjmë këtë bashkëpunim me një pikë kontrolli të vetme që lehtëson ndërlidhje më të lehtë mes dy vendeve.


Duam të përforcojmë bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare, bashkëpunime në Ohër e Strugë nëpërmjet liqenit me Shqipërinë. Dua të falënderoj ministrin e Punëve të Brendshme, punonjësit, që të kemi një pikë kontrolli të vetme dhe falënderim për mikun tim Edi Rama”, tha Mickoski.

“KORÇA BOOM”


bottom of page