Përplasja Rama-Veliaj merr tjetër kthesë, reagon Bashkia e Tiranës: “Ndaloni ndërhyrjet politike”
Bashkia e Tiranës ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku paralajmëroi ndëshkim politik për drejtuesit e administratës bashkiake që, sipas tij, përfshihen në largimin e punonjësve nga puna për motive politike.
Në një deklaratë zyrtare për mediat, Bashkia e Tiranës ka kundërshtuar qëndrimin e kryeministrit, duke e cilësuar atë si ndërhyrje politike në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të bashkisë. Njëkohësisht, institucioni ka shprehur shqetësimin për presionin publik ndaj drejtuesve të administratës.
Në reagim theksohet se Bashkia e Tiranës nuk është në varësi personale të kryeministrit dhe se autonomia e saj garantohet nga Kushtetuta dhe ligji për vetëqeverisjen vendore.
Sipas Bashkisë, emërimet dhe shkarkimet në administratë janë kompetenca që duhet të ushtrohen në përputhje me ligjin dhe jo në bazë të preferencave personale apo interesave politike.
Institucioni ka ngritur gjithashtu shqetësimin se masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut të zgjedhur, Erion Veliaj, po shfrytëzohet për të dobësuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë.
Në fund të deklaratës, Bashkia kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e autonomisë vendore, duke theksuar se institucioni u përket qytetarëve të Tiranës.
Reagimi i plotë i Bashkisë së Tiranës:
“Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.
Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioze se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.
Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do t'u shërbejë deri në fund zgjedhësve të saj.”
“KORÇA BOOM”
















