top of page

Rama paralajmëron për Tiranën dhe dërgon mesazh të fortë Veliajt: “Është në gabim”

16 hours ago
2 min read

Kryeministri Edi Rama ka kaluar në një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Erion Veliajt, duke ironizuar mesazhet që kryebashkiaku i Tiranës përcjell nga qelia dhe duke i cilësuar si dorëshkrime nga një “burg imagjinar politik”.


Gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në Tiranë, Rama ka marrë në mbrojtje drejtuesit dhe punonjësit e Bashkisë, duke mohuar pretendimet për largime nga puna për shkak se nuk mbështesin publikisht Veliajn në rrjetet sociale.


Kryeministri ka vënë në shënjestër edhe avokatin e Veliajt, duke e akuzuar se i drejtohet zyrtarisht Bashkisë së Tiranës me firmën e drejtuesit politik, ndërkohë që, sipas Ramës, është një nga dy personat e përjashtuar së fundmi nga strukturat e Partisë Socialiste.

“Prej vitesh s’u kërkon askush llogari për kë votojnë, jo më t’i largojnë nga puna pse nuk paraqiten me uniformën e partisë. Si mund të largohet një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like' e 'share' dorëshkrimeve të Lali-t nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?


Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te raporti i tij me Erion Veliajn, duke u shprehur se nuk dëshiron ta gjykojë kryebashkiakun për deklaratat dhe veprimet e tij, por i bëri thirrje që të kuptojë se po gabon në raport me të dhe me Partinë Socialiste.

“Unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën. Po vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim”, tha Rama.


Ai paralajmëroi gjithashtu se Partia Socialiste do të reagojë me ashpërsinë më të madhe politike ndaj kujtdo që, sipas tij, vepron kundër punonjësve të Bashkisë së Tiranës. Rama përmendi se në administratën bashkiake ka socialistë, punonjës pa përkatësi politike, si Elona Lalaj, por edhe demokratë, duke theksuar se askush nuk duhet të penalizohet për bindjet apo qëndrimet e tij.


Mungesën e Erion Veliajt në krye të Bashkisë, Rama e cilësoi si një problem që ndikon në ecurinë e punëve të qeverisjes vendore. Kryeministri u shpreh se zgjidhjen e sheh më 9 maj, në Ditën e Evropës, duke deklaruar se është i bindur që socialistët do ta fitojnë sërish Tiranën.


Në fund, Rama foli edhe për bilancin e 13 viteve të qeverisjes socialiste, duke pranuar se gjatë kësaj periudhe ka pasur dobësi dhe gabime. Megjithatë, ai argumentoi se alternativat e tjera politike, sipas tij, rrezikojnë të sjellin kaos, konfuzion dhe paqëndrueshmëri.

Përplasja e fundit mes Ramës dhe Veliajt shënon një tjetër moment tensioni në radhët e Partisë Socialiste, ndërsa deklaratat e kryeministrit tregojnë se raporti mes tyre vijon të jetë i mbushur me polemika dhe mesazhe të drejtpërdrejta politike.

“KORÇA BOOM”


bottom of page