top of page

Zgjedhjet lokale në maj, Rama nis me premtime për pensionistët dhe çiftet e reja: Rritje pensionesh dhe lehtësim të kostos së jetesës

16 hours ago
3 min read

Me zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 që po afrojnë, kryeministri Edi Rama ka vënë në qendër të fjalës së tij pensionistët, familjet dhe çiftet e reja, duke prezantuar premtimet për rritjen e pensioneve dhe uljen e TVSH-së për produktet e shportës.


Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste në Tiranë, ku nisi organizimi për zgjedhjet e ardhshme lokale, Rama u ndal te buxheti i vitit 2027, të cilin e cilësoi historik.


Në prag të një tjetër përballjeje elektorale, kryeministri premtoi rritje të bonusit për pensionistët, afrim të indeksimit të pensioneve në muajin prill dhe ulje të TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës.


Rama deklaroi se buxheti i shtetit do të kalojë për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove, duke ia atribuuar këtë rritjes së ekonomisë shqiptare.


“Për herë të parë ne kapërcejmë pragun e 10 miliardë eurove në buxhet, falë një ekonomie që rritet në mënyrë të qëndrueshme, gjë që e nënvizojnë të gjitha institucionet, siç e thotë shprehimisht edhe BE-ja, e cila flet me konsiderata të larta për ekonominë e vendit.


Arritjet tona nuk janë medalje për gjoksin e qeverisë. Për një familje që numëron lekët në fund të muajit, rëndësi ka sa e shtrenjtë është shporta në dyqanin e lagjes. Ndaj është një arritje kuptimplote e kësaj përpjekjeje të gjatë fakti që, në buxhetin e vitit 2027, 54 produkte të shportës do të kenë TVSH të ulur në 6 për qind. Kjo është ekonomia që rritet edhe për qytetarin, edhe për atë që nuk e ka të lehtë të përballojë presionin e shtrenjtimit të produkteve të shportës.”, tha Rama.


Në fjalimin e tij nuk munguan as çiftet e reja dhe vështirësitë e tyre për të siguruar një banesë. Rama ngriti shqetësimin për kostot e strehimit dhe shpenzimet me të cilat përballen familjet e reja, por pa dhënë në këtë pjesë të fjalës detaje konkrete për lehtësimin e kredive apo qirave.


“Çfarë vlere ka rritja e ekonomisë kur një çift i ri nuk gjen dot rrugë për të pasur një shtëpi të re, një nënë e re mbetet e vetme përballë kostos së rritjes së çmimeve, një pensionist që voton me zemër për PS-në vazhdon të mos shohë sesi kjo rritje ekonomike përkthehet te pensioni i tij?”, tha Rama.


Kreu i PS vijon me propagandën e tij, ndërsa me "grepin e tij të peshkimit" si gjithmonë do të "kapë" pensionistët, të cilëve u premtoi rritje të përvitshme, ndërsa pranoi se masat e parashikuara nuk janë të mjaftueshme për nevojat e tyre.


Ai njoftoi se bonusi për pensionistët do të rritet nga 1 janari, ndërsa premtoi dyfishim të rritjes edhe në vitet pasuese të mandatit.


“Buxheti i vitit 2027 është historik, sepse këtyre pyetjeve u jep përgjigje pranuese. Pensionistëve u kemi një borxh që nuk e shlyejmë dot në të gjallën tonë, një borxh moral ndaj një gjenerate që mbajti mbi shpinë Shqipërinë me kockat e varfërisë së vet, duke punuar pafund dhe duke mos marrë pas asgjë. Nga 1 janari, e thotë tanimë buxheti, bonusi i tyre do të rritet dhe rritja do të jetë dyfishi i vitit të shkuar, ndërsa indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill. Askush të mos mendojë nga pensionistët se unë mendoj që këto mjaftojnë. Por mendoj se ka një ndryshim mes një pensioni që nuk rritet dhe një pensioni që rritet çdo vit. Vitin e ardhshëm, pas këtij, do të dyfishohet sërish rritja dhe vitin e fundit të këtij mandati do të dyfishohet rritja e një viti më parë”, premtoi Rama.

“KORÇA BOOM”


bottom of page