Përse OBSH e klasifikon mishin e përpunuar si kancerogjen
- Korca Boom
- Sep 23
- 2 min read
Konsumi i mishrave të përpunuar është bërë pjesë e dietës së përditshme për shumë njerëz. Shijen e tyre e preferojnë të rritur dhe fëmijë, ndërsa komoditeti i përgatitjes së shpejtë i bën edhe më tërheqës në një rutinë të ngarkuar. Megjithatë, përfitimet e lehtësisë nuk mund të krahasohen me rreziqet afatgjata që mbartin.
Çfarë përmbajnë realisht këto produkte?Produktet si sallamrat, hot dogët, proshutat, suxhuku apo salçiçet janë mishra që i nënshtrohen një procesi industrial, i cili përfshin kriposje, tymosje, tharje ose shtim konservantësh për qëndrueshmëri më të gjatë.
Këto produkte shpesh përmbajnë përbërës të cilët lidhen me efekte të dëmshme për shëndetin:
Nitratet dhe nitritet janë substanca kimike që përdoren për të ruajtur mishin dhe për t’i dhënë atij një ngjyrë rozë tërheqëse. Ato ndihmojnë gjithashtu në frenimin e zhvillimit të baktereve të rrezikshme. Por në kushte të caktuara, këto përbërës mund të shndërrohen në komponime të dëmshme për organizmin.
Nitrosaminat formohen kur nitratet dhe nitritet reagojnë me temperaturat e larta gjatë gatimit ose në kontakt me acidin në stomak. Këto janë përbërës që janë lidhur direkt me rritjen e rrezikut për zhvillimin e disa llojeve të kancerit, veçanërisht atij kolorektal.
Rreziku i konsumit të shpeshtëOrganizata Botërore e Shëndetësisë ka renditur mishin e përpunuar në kategorinë e parë të substancave kancerogjene, krahas me duhanin dhe alkoolin. Kjo nuk do të thotë se një hot dog i rastësishëm është aq i rrezikshëm sa pirja e duhanit, por që ekziston një lidhje e qartë dhe e vërtetuar shkencërisht midis konsumit të rregullt të këtyre produkteve dhe shtimit të rrezikut për kancer, sëmundje kardiovaskulare, diabet të tipit 2 dhe mbipeshë.
Studime të ndryshme kanë treguar se konsumimi i vetëm 50 gramë mishi të përpunuar në ditë (sa një hot dog apo disa feta sallam) rrit rrezikun për kancer kolorektal me 18 për qind. Kjo është veçanërisht shqetësuese për njerëzit që konsumojnë këto produkte pothuajse çdo ditë, pa ndërgjegjësim për pasojat.
Çfarë mund të bëni?Nuk është e nevojshme të hiqni dorë menjëherë nga çdo lloj mishi të përpunuar, por është e rëndësishme të kufizoni konsumin dhe të jeni të vetëdijshëm për zgjedhjet ushqimore që bëni. Ja disa këshilla të dobishme:
Zëvendësoni mishrat e përpunuar me burime më të shëndetshme të proteinës, si mishi i bardhë i freskët (pule ose gjeldeti pa lëkurë), peshku, vezët, bishtajoret dhe arrat.
Kur zgjidhni produkte të përpunuara, lexoni etiketat dhe shmangni ato që përmbajnë nitrat/nitrit të natriumit ose kanë listë të gjatë përbërësish artificialë.
Kufizoni frekuencën e konsumit. Një racion në javë është më i pranueshëm sesa konsum i përditshëm.
Gatuani mishin në temperatura më të ulëta kur është e mundur dhe shmangni djegien, e cila mund të prodhojë komponime kancerogjene shtesë.
Ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt një jetese më të shëndetshme. Ushqimi nuk është vetëm çështje shijeje, por edhe mënyrë për të mbrojtur veten dhe ata që doni. Kujdesi për atë që vendosim në pjatë sot, është kujdes për shëndetin e nesërm.
“KORÇA BOOM”



















