Qeveria me plan të ri për rrugët, ndryshojnë kufijtë e shpejtësisë dhe kontrollet
- 15 hours ago
- 1 min read
Qeveria shqiptare pritet të ndryshojë mënyrën e monitorimit të trafikut në vend, duke zgjeruar përdorimin e kamerave inteligjente dhe duke rishikuar kufijtë e lejuar të shpejtësisë në rrjetin kombëtar rrugor.
Masat janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030 dhe planit të saj të veprimit, të publikuar në Fletoren Zyrtare. Dokumenti parashikon instalimin e kamerave të shpejtësisë dhe sistemeve të avancuara të sinjalistikës inteligjente në pika të përzgjedhura të rrjetit rrugor gjatë periudhës 2027–2029.
Sipas planit, kamerat do të monitorojnë në kohë reale shpejtësinë e automjeteve dhe do të lidhen me Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut, duke krijuar një sistem të centralizuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e qarkullimit në të gjithë vendin.
Për zbatimin e kësaj nisme do të përgjigjen Autoriteti Rrugor Shqiptar, Policia Rrugore, strukturat përgjegjëse të transportit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me rishikimin e kufijve të shpejtësisë. Sipas strategjisë, kufijtë nuk do të jenë më të njëjtë për të gjitha rrugët, por do të përcaktohen në bazë të nivelit të rrezikut të çdo segmenti rrugor, karakteristikave të infrastrukturës dhe standardeve të sigurisë.
Dokumenti bazohet në konceptin e “Qasjes së Sistemit të Sigurt”, që synon uljen e numrit të aksidenteve dhe minimizimin e pasojave të tyre, duke përshtatur kufijtë e shpejtësisë me kushtet reale të qarkullimit.
Strategjia parashikon gjithashtu ndërhyrje në zonat urbane për qetësimin e trafikut, shtimin e masave pranë shkollave dhe rritjen e sigurisë në zonat me lëvizje të shumta të këmbësorëve.
Me këto ndryshime, autoritetet synojnë të forcojnë kontrollin në rrugë dhe të ulin numrin e aksidenteve, duke rritur standardet e sigurisë rrugore në të gjithë vendin.
“KORÇA BOOM”













