top of page

Qeveria nis revolucionin në shkolla: Program pas-shkollor për çdo nxënës

  • 4 hours ago
  • 2 min read

Qeveria, përmes një programi kombëtar, synon të përfshijë në të gjitha shkollat e vendit aktivitete edukuese dhe argëtuese pas mësimit.


“Art dhe zeje, toka në shkolla, shkolla qendër komunitare dhe të gjitha këto nisma, që sot e tutje, me ligj, zakon e kanun, do t'i fusim nën të njëjtën ombrellë, programin pas shkolle. Në këtë mënyrë, çdo nxënës do të ketë akses në mundësi të barabarta, pavarësisht interesave apo sfondit shoqëror që e karakterizon,” tha ministrja e Arsimit.


Në këto programe, për të cilat së shpejti do të bëhen edhe ndryshimet ligjore, do të përfshihen edhe mësuesit e dalë në pension.


“Faza e ardhshme përfshin rregullime të mëtejshme, duke përfshirë dispozita ligjore dhe vendim të Këshillit të Ministrave për trajtimin e aspektit financiar, si pagesa për këto orë shtesë.


Kjo do të hapë sistemin jo vetëm për mësuesit aktualë, por edhe për mësues të dalë në pension, ata në pritje të punësimit dhe ekspertë në art, muzikë, teatër dhe zanate, të shumtë në qytetet shqiptare dhe të gatshëm për të kontribuar,” tha ministrja Mirela Kumbaro në një panel për “Politikat Kombëtare për Edukimin Pas Shkollor dhe Zhvillimin Gjithëpërfshirës”.


Shqipëria ka 1,498 shkolla parauniversitare dhe rreth 345,000 nxënës nga klasa e parë deri në maturë. Ndërkohë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave këtë të enjte, qeveria miratoi ndryshime në fushën e kërkimit shkencor, duke i hapur rrugë agjencive publike për të hapur institute kërkimore.


“VKM-ja tjetër përkufizon kategorinë e pagave dhe shpërblimeve sipas kategorisë së kërkuesit shkencor. Vendimi i fundit i miratuar ka të bëjë me plotësimin e një standardi për menaxhimin e bazës së të dhënave të kërkimit shkencor dhe provimeve kombëtare e ndërkombëtare,” tha ministrja Kumbaro.


Një tjetër vendim ishte transformimi i Qendrës së Shërbimeve Arsimore në agjenci autonome, për të rritur efikasitetin dhe përmirësuar shërbimet në sistemin arsimor.

"KORCA BOOM"


bottom of page