top of page

Raketa, viktima dhe reagim i menjëhershëm: NATO përballet me provokimin rus

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Sep 20
  • 2 min read

Tensionet mes NATO-s dhe Rusisë kanë arritur sërish në një nivel të lartë këtë fundjavë, pas një sulmi masiv ajror të ndërmarrë nga Rusia ndaj Ukrainës në orët e para të së shtunës.

Autoritetet ukrainase njoftuan se të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet me raketa dhe dronë në disa rajone të vendit.


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri të ditur se sulmet ndodhën në nëntë rajone: Dnipropetrovsk, Mikolaiv, Çernihiv, Zaporizhja, Poltava, Kiev, Odesa, Sumi dhe Harkiv.

Sipas tij, objektiva të sulmeve ishin infrastruktura, zonat e banuara dhe ndërmarrjet civile. Një ndërtesë shumëkatëshe në qytetin e Dnipros u godit nga një raketë e pajisur me municione thërrmuese, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe frikë të madhe mes banorëve.

Sulmi rus vjen menjëherë pas një përplasjeje të re diplomatike me NATO-n, pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë rusë një ditë më parë, si dhe incidenteve të përsëritura me dronë rusë në territorin e Polonisë dhe Rumanisë.


Në përgjigje të situatës, Polonia dhe disa vende të tjera anëtare të NATO-s kanë ngritur në ajër avionët e tyre luftarakë. Komanda Operacionale e Ushtrisë Polake njoftoi se avionët aleatë po patrullojnë në hapësirën ajrore të vendit, ndërkohë që sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe ato të zbulimit janë vënë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë.

Operacioni i NATO-s zgjati rreth 90 minuta dhe është konsideruar si një masë parandaluese për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.


Veprimet e fundit të Rusisë kanë rritur ndjeshëm shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të aleancës euroatlantike, duke rikthyer frikën për një përplasje të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Federatës Ruse.


Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet, teksa priten reagime të mëtejshme nga Brukseli dhe Washingtoni.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page