top of page

Rama: “Asnjë kontroll pa paralajmërim”, ja çfarë ndryshon për bizneset

  • 17 hours ago
  • 2 min read

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë një takim me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Inspektorin e Përgjithshëm, Dashnor Sula, si dhe inspektorët e terrenit, ku njoftoi ndryshime në mënyrën e kryerjes së kontrolleve ndaj bizneseve.


Rama deklaroi se kontrollet e inspektimeve duhet të bazohen te parimi i “besës”, duke theksuar se nuk duhet të ketë më kontrolle rutinë pa paralajmërim.


“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e besës. E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh”, u shpreh Rama.


Sipas kryeministrit, synimi i inspektimeve nuk duhet të jetë kapja e subjekteve në shkelje, por ndihma ndaj tyre për përmirësimin e zbatimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve.

Rama theksoi gjithashtu se gjoba duhet të jetë masa e fundit dhe jo mënyra e parë e ndërhyrjes ndaj një biznesi.


“Gjoba mbi një biznes është arma e fundit, jo e para”, deklaroi ai, duke paralajmëruar se inspektorët që përdorin gjobën si mjet presioni nuk po mbrojnë shtetin, por po e dëmtojnë atë.


Kryeministri u bëri thirrje bizneseve që të denoncojnë menjëherë çdo kontroll rutinë të kryer pa paralajmërim nga inspektoratet, duke e cilësuar këtë si një të drejtë të sipërmarrësve.


Një tjetër ndryshim i paralajmëruar lidhet me pajisjen e inspektorëve me kamera inteligjente trupore. Rama tha se së shpejti çdo inspektor që do të kryejë kontrolle në një subjekt do të jetë i pajisur me kamerë dhe uniformë, në mënyrë që të jetë i identifikueshëm dhe puna e tij të jetë e mbikëqyrur.


“Çdo inspektor që troket në emër të shtetit te dera e një tatimpaguesi të kësaj Republike, do të jetë i pajisur me kamerën inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë”, tha Rama.

“KORÇA BOOM”


bottom of page