top of page

Rama ‘shpërthen’ ndaj disa kryebashkiakëve: Lini komunitetin dhe vini në Tiranë

  • 1 day ago
  • 2 min read

Edi Rama ka përcjellë një mesazh të fortë kritik ndaj disa kryetarëve të bashkive gjatë eventit për infrastrukturën urbane, duke i akuzuar se nuk po qëndrojnë pranë komuniteteve që drejtojnë dhe po largohen drejt Tiranës edhe gjatë ditëve të punës.


Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se ka marrë ankesa të shumta nga qytetarët lidhur me drejtues vendorë që braktisin bashkitë para përfundimit të javës së punës, duke e cilësuar këtë praktikë si të papranueshme.


Pa përmendur emra konkretë, Rama paralajmëroi se nëse kjo situatë vijon, në të ardhmen do të detyrohet t’i bëjë publikë edhe emrat e kryebashkiakëve për të cilët janë ngritur shqetësime.


Sipas tij, ankesat kanë ardhur kryesisht nga bashki të jugut dhe juglindjes së vendit, veçanërisht përgjatë aksit Tiranë–Korçë.


Kryeministri kërkoi që drejtuesit vendorë të jenë më pranë qytetarëve dhe të mos largohen nga detyra përpara ditëve zyrtare të pushimit.


“Me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive, nuk dua t’i përmend këtu me emra, që janë bërë pak problem, po e them në mënyrë të butë, për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje.


Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. Nuk janë të gjithë, janë disa. Herën tjetër do të duhet t’i përmend me emër dhe publikisht.


Lënë komunitetin dhe detyrën para se të vijë momenti zyrtar i pushimit dhe vijnë në Tiranë. Kjo s’është e justifikueshme dhe e pranueshme.


Besoj që kam gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë më parë këtë shqetësim që më ka ardhur nga disa prej komuniteteve tuaja, kryesisht në jug e juglindje të vendit, në aksin Tiranë-Korçë”, u shpreh Rama.


Në fund të deklaratës së tij, Rama ironizoi edhe përfaqësuesit e opozitës në pushtetin vendor, duke shtuar se nuk i kishte ata në fokus të kritikës së tij.

“KORÇA BOOM”


bottom of page