Rama “ultimatum” supermarketeve: Të bëhen publike çmimet e çdo pike shitjeje
Qeveria ka kërkuar nga supermarketet më shumë transparencë për çmimet dhe krijimin e një sistemi që t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve në pika të ndryshme shitjeje.
Gjatë diskutimit me përfaqësuesit e rrjeteve të supermarketeve, u kërkua që operatorët të konfirmojnë rrjetin e pikave të shitjes që do të përfshihen në një fazë të parë pilot dhe të nisë transmetimi i të dhënave.
Një tjetër kërkesë lidhet me dorëzimin e listës së produkteve që përfshihen në kategoritë e përcaktuara për këtë fazë, së bashku me të dhënat identifikuese si barkodi, marka dhe elementë të tjerë që mundësojnë krahasimin e produkteve.
“Për qytetarin ka ardhur koha të jetë shumë e thjeshtë të krahasojë dhe të zgjedhë. Jo të jetë në errësirë”, u tha gjatë takimit.
Sipas propozimit, platforma do të pasqyrojë çmimin real dhe final për konsumatorin, duke bërë dallimin mes çmimit normal dhe atij promocional. Gjithashtu, do të përcaktohet një standard i përbashkët për transmetimin e të dhënave dhe përgjegjësinë për saktësinë e tyre.
Një nga kërkesat kryesore është që të bëhet publike lista e plotë e dyqaneve, në mënyrë që qytetarët të mund të shohin dhe të krahasojnë çmimin e të njëjtit produkt në pika të ndryshme shitjeje.
“Çdo operator të caktojë një përgjegjës”, ishte një tjetër kërkesë e artikuluar gjatë diskutimit.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama theksoi se qëllimi nuk është përcaktimi i çmimeve apo ndalimi i fitimit nga ana e bizneseve, por rritja e transparencës dhe mbrojtja e konsumatorëve, veçanërisht për produktet bazë të shportës.
“Askush nuk pretendon që ne do përcaktojmë çmimet. Askush nuk ju thotë mos nxirrni fitime. Ky është sistemi që kemi zgjedhur”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se bizneset nuk po u kërkohet të heqin dorë nga fitimet, por të shmangin ngarkesat që, sipas tij, nuk justifikohen.
“Askush nuk ju kërkon që të ndaloni së fituari”, tha Rama, duke shtuar se bëhet fjalë për produkte jetike dhe të shportës, për të cilat konsumatorët duhet të kenë mundësi të krahasojnë çmimet.
Kryeministri iu referua gjithashtu të dhënave ekonomike mbi zhvlerësimin e euros, inflacionin e importuar dhe çmimet e produkteve të brendshme, duke argumentuar se këta faktorë duhet të merren në konsideratë në diskutimin për çmimet në treg.
“Deri më sot nuk ka pasur një kryeministër më pro sipërmarrjes se unë. Por po flasim për produkte jetike, të shportës. Për njerëzit që maten shumë mirë për të blerë një kokërr vezë më shumë”, deklaroi Rama.
“KORÇA BOOM”
















