Reforma territoriale, ja si ndryshon mënyra e zgjedhjes së këshillave bashkiakë
Reforma e re territoriale që pritet të diskutohet në kuadër të zgjedhjeve të vitit 2027 mund të sjellë ndryshime jo vetëm në numrin e bashkive, por edhe në mënyrën e përfaqësimit të qytetarëve në këshillat bashkiakë.
Sipas propozimit të paraqitur nga Arbjan Mazniku pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore, territoret që mund të mos kenë më bashki të veçantë do të mund të përfaqësohen përmes anëtarëve në këshillin bashkiak të bashkisë më të madhe ku do të përfshihen.
Sipas skenarit të paraqitur në dokument, me hartën e re territoriale në pranverën e vitit 2027, 46 bashki do të shkojnë në zgjedhje për kryetar, ndërsa 77 qytete do të kenë një nënkryetar bashkie të emëruar, por nuk do të kenë këshill bashkiak më vete.
Për të shmangur mungesën e përfaqësimit të këtyre komuniteteve, propozohet ndryshimi i kuadrit ligjor dhe i Kodit Zgjedhor.
Një nga propozimet është modeli i quajtur “proporcionalitet i dyfishtë”, i cili do të kombinonte përfaqësimin politik me atë territorial.
Sipas kësaj skeme, mandatet e këshilltarëve do të ndaheshin duke marrë parasysh votat që merr secili subjekt zgjedhor, por edhe peshën e popullsisë së territoreve përbërëse të bashkisë.
Në dokument jepet si shembull një këshill bashkiak me 51 mandate dhe tre territore përbërëse. Fillimisht përcaktohet numri i mandateve që i takon secilit territor në bazë të popullsisë dhe më pas bëhet ndarja e tyre mes subjekteve politike.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me mënyrën e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë.
Mazniku propozon që ata të zgjidhen përmes votës preferenciale, pra me lista të hapura.
Në këtë skemë, votuesi do të mund të zgjedhë kandidatin e preferuar brenda subjektit politik dhe territorit përkatës. Numri i mandateve që i takojnë subjektit në atë territor do të përcaktonte numrin e kandidatëve që marrin mandat, ndërsa votat preferenciale do të përcaktonin se cilët kandidatë do të zinin këto vende.
Megjithatë, dokumenti i paraqitur pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore nuk përbën ende një vendim përfundimtar. Përcaktimi i territoreve përbërëse dhe mënyra konkrete e përfaqësimit pritet të jetë pjesë e diskutimeve gjatë procesit të reformës.
Propozimet mund të pësojnë ndryshime gjatë shqyrtimit të tyre dhe para miratimit të ndryshimeve në kuadrin ligjor dhe Kodin Zgjedhor.
“KORÇA BOOM”
















