Reformë e re për shoferët e kamionëve dhe autobusëve, kurse të detajuara, kontrolle për autoshkollat dhe fokus te siguria rrugore
- Apr 24
- 2 min read
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar një udhëzim të ri që sjell ndryshime thelbësore në mënyrën se si shoferët profesionistë të kategorive C dhe D do të kualifikohen dhe rinovojnë certifikatat e tyre. Qëllimi i këtij udhëzimi është përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe rritja e sigurisë rrugore përmes përdorimit të teknologjisë dhe trajnimeve më të avancuara.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me strukturën e re të orëve mësimore. Për kualifikimin fillestar, kandidatët do të duhet të ndjekin 60 orë teori, të shpërndara në jo më pak se 15 ditë, si dhe 10 orë praktikë, në një periudhë minimale prej 5 ditësh. Ndërkohë, për rinovimin e certifikatës, trajnimi teorik do të zgjasë 35 orë, të zhvilluara në të paktën 7 ditë.
Një risi e rëndësishme është përfshirja e “Kodit 95”, i cili do të shënohet drejtpërdrejt në lejen e drejtimit ose në certifikatën CAP. Ky kod vërteton se drejtuesi i mjetit përmbush kërkesat profesionale të Bashkimit Evropian për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.
Programi i ri i trajnimit vendos theks të veçantë te teknologjia. Për herë të parë, shoferët do të trajnohen për përdorimin e tahografëve inteligjentë të gjeneratës së re (Smart Tachograph V2), si dhe për sistemet moderne të asistencës në drejtim (ADAS), të cilat përfshijnë frenimin automatik, mbajtjen e korsisë dhe paralajmërimin për përplasje.
Një tjetër element i rëndësishëm është drejtimi ekologjik, i cili synon kursimin e karburantit dhe reduktimin e ndotjes në mjedis, duke reflektuar politikat e reja evropiane për transport më të qëndrueshëm.
Ndryshime të forta janë parashikuar edhe për autoshkollat. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) do të ketë kompetenca të zgjeruara për monitorimin e tyre. Çdo autoshkollë do të duhet të pajiset me miratim për të ofruar kurse CAP dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve periodike vjetore për kushtet didaktike, mjetet dhe stafin. Në rast të mosplotësimit të kritereve, ato do të çregjistrohen menjëherë nga sistemi.
Po ashtu, programi i ri i kushton rëndësi edhe shëndetit dhe sjelljes profesionale të drejtuesve. Rreth 8 orë trajnim do t’i dedikohen menaxhimit të stresit, faktorëve psikologjikë, efekteve të alkoolit, ushqyerjes së balancuar, si dhe parandalimit të kriminalitetit dhe trafikimit të paligjshëm gjatë transportit.
Sipas udhëzimit, rinovimi i certifikatës CAP tashmë do të kushtëzohet plotësisht nga përfundimi i trajnimit periodik prej 35 orësh. Për drejtuesit që zotërojnë certifikata për transport mallrash dhe pasagjerësh, rinovimi mund të kryhet njëkohësisht.
“KORÇA BOOM”
















