Reshje dhe shtrëngata, çfarë ndodh me motin gjatë ditës së martë
- 2 days ago
- 1 min read
Temperaturat mbeten të ulëta në zonat malore.
Shqipëria pritet të përfshihet nga reshje shiu gjatë ditës së martë, me intensitet të ndryshëm në qarqe të ndryshme.
Sipas IGJEO, reshjet më të konsiderueshme parashikohen në qarkun Shkodër, ku priten me intensitet mesatar, ndërsa në qarkun Kukës reshjet do të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare.
Në qarqet e tjera të vendit priten reshje të dobëta, të cilat në disa zona do të shoqërohen me shtrëngata.
Në zonat veriore, lindore dhe juglindore, në lartësitë mbi 900 metra mbi nivelin e detit, reshjet pritet të jenë në formë dëbore. Sipas të dhënave, reshjet e dëborës do të jenë më të përqendruara në veri të vendit.
Sa i përket temperaturave, për ditën e martë parashikohet që vlerat minimale dhe maksimale të ajrit të variojnë sipas zonave.
Në bregdet temperaturat do të luhaten nga 11 deri në 15 gradë Celsius, në zonat e ulëta nga 9 deri në 17 gradë Celsius, ndërsa në zonat malore nga 4 deri në 10 gradë Celsius.
“KORÇA BOOM”
















