top of page

Rihapet arteria e naftës, rritet ndjeshëm trafiku në Ngushticën e Hormuzit

  • 13 hours ago
  • 1 min read

Pas disa javësh tensioni dhe bllokimi, në Ngushticën e Hormuzit është vënë re një rritje e ndjeshme e trafikut detar, duke shënuar lëvizjen e parë të madhe të anijeve, që nga nisja e konfliktit shtatë javë më parë.


Të dhënat e monitorimit nga platforma MarineTraffic tregojnë se këtë mëngjes një konvoj me cisterna ka kaluar në këtë rrugë strategjike. Grupi përfshinte katër anije për transportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), si dhe disa cisterna të naftës e produkteve kimike.


Ndërkohë, një tjetër grup anijesh duket se po organizohet në drejtimin e kundërt, duke sinjalizuar një rikthim gradual të qarkullimit në këtë korridor jetik për tregtinë globale të energjisë.


Ky zhvillim përbën një ndryshim të dukshëm krahasuar me situatën e mëhershme, kur trafiku ishte minimal dhe vetëm disa anije guxonin të kalonin përmes korsisë kryesore detare.


Megjithëse Irani dhe presidenti amerikan Donald Trump deklaruan më herët se Ngushtica ishte rihapur, lëvizjet reale të anijeve ishin të kufizuara. Shumica e mjeteve lundruese qëndronin të bllokuara në të dyja anët e ujërave, për shkak të rreziqeve të krijuara pas shpërthimit të konfliktit.


Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga arteriet më të rëndësishme të ekonomisë globale, pasi në kushte normale përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë, me mbi 100 anije në ditë.


Teherani ndërmori më herët masa për mbylljen e kësaj rruge ujore në fillim të luftës, duke shkaktuar shqetësime të mëdha në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page