top of page

Rihapet Liceu Francez në Korçë, Franca do të financojë një pjesë të kostove për 5 vitet e para

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Vizita e presidentit francez Emanuel Macron në Shqipëri gjatë fundit të vitit 2023, është konkretizuar me një draft ligjor për rihapjen e liceut francez në Korçë.


Ministria e arsimit ka hartuar një projektligj për krijimin e një institucioni publik në juglindje që në përfundim të arsimit të mesëm do të marrin dy diploma, shqiptare dhe franceze.


Kostoja për nxënës në Liceun Francez të Korçës është rreth 5 herë më e lartë se në një gjimnaz publik standard, për shkak të modelit dygjuhësh, stafit pedagogjik ndërkombëtar dhe laboratorëve shkencorë. Në dokumentin që është në konsultim publik specifikohet se drejtori i shkollës do të propozohet nga Ministria franceze e Arsimit Kombëtar, ndërsa zv.drejtori nga Shqipëria.


Projektligji parashikon që gjatë pesë viteve të para të funksionimit, pala franceze të mbulojë kostot që lidhen me pozicionin e drejtorit të liceut, i cili parashikohet të jetë një drejtues me përvojë në sistemin arsimor francez me një pagë me përafërsi rreth 10 mijë euro në muaj.


Kostoja e këtij pozicioni vlerësohet rreth 115 mijë euro në vit, ose rreth 594 mijë euro në pesë vite.


Relacioni i projektligjit


“Projekti kërkon edhe një investim fillestar për pajisjet dhe mobilimin e institucionit, i cili vlerësohet mesatarisht 2 milion euro. Në buxhetin e Ministrisë përgjegjëse për arsimin për periudhën 2026-2028 janë planifikuar 100 milion lekë ose 1 milion euro.  Gjithashtu në buxhetin e vitit 2026-2028 janë planifikuar edhe fondet për burimet njerëzore për palën shqiptare pa kostot e mensës dhe konviktit të cilat përballohen nga Bashkia Korçë”.


Liceu pritet të gëzojë autonomi financiare dhe të zhvillojë procesin mësimor në gjuhën shqipe, frënge dhe angleze. Kriteri bazë i regjistrimit të nxënësve është njohuria e frengjishtes, ndërsa aplikimet për të rinjtë shqiptarë bëhet përmes e-albania, e për të huajt fizikisht në adresën e liceut.


Një rol të rëndësishëm në institucionin publik dypalësh planifikohet të ketë edhe Këshilli Administrativ i Liceut që do të përbëhet edhe nga ministri I arsimit dhe ambasadori i Francës në Shqipëri./ tpz.al

“KORÇA BOOM”


bottom of page