Rrufe, breshër dhe erë e fortë/ Moti përkeqësohet këtë të diel, zonat ku priten shtrëngatat
Reshje me intensitet deri të lartë në veriperëndim dhe jugperëndim, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe lokalisht breshër. Era pritet të arrijë shpejtësinë deri në 16 m/s…
Kjo e diel pritet të karakterizohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme në të gjithë vendin, me vranësira, intervale kthjellimesh dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimit meteorologjik, reshjet do të nisin që në orët e para të ditës, kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar. Në zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore, reshjet pritet të jenë më intensive, lokalisht deri të larta, në formën e shtrëngatave afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe në zona të veçanta edhe me breshër.
Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të vendit, kryesisht me intensitet të ulët. Megjithatë, në veriperëndim dhe jugperëndim parashikohen herë pas here shtrëngata me intensitet mesatar, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Në momentet e reshjeve të shiut pritet gjithashtu prania e mjegullës së dendur lokale dhe mjegullinës, të cilat mund të kufizojnë dukshmërinë.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë nga drejtimi juglindje–lindje, me shpejtësi mesatare 5 m/s. Përgjatë vijës bregdetare, në zonat luginore dhe malore, era pritet të intensifikohet, duke arritur shpejtësi deri në 16 m/s.
Ndërkohë, në det parashikohet valëzim i forcës 3 deri në 4 ballë.
“KORÇA BOOM”

















