top of page

Sherr për drogën në Selanik, arrestohen dy shqiptarë/ 30-vjeçari dhunon edhe policët gjatë arrestimit

  • 1 day ago
  • 1 min read

Dy shtetas shqiptarë, të moshës 30 dhe 33 vjeç, kanë përfunduar në prangat e policisë greke mbrëmjen e së dielës në Selanik, pas një konflikti të dhunshëm në apartamentin ku jetonin.


Sipas autoriteteve greke, sherri mes dy bashkëkombësve dyshohet se ka nisur si pasojë e mosmarrëveshjeve të lidhura me lëndët narkotike. Ngjarja mori përmasa më të rënda pas denoncimit të bërë nga 33-vjeçari, i cili pretendoi se ishte kërcënuar me thikë nga 30-vjeçari gjatë konfliktit.


Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë për të neutralizuar situatën dhe për të shoqëruar personat e përfshirë. Megjithatë, ndërhyrja e efektivëve nuk ka kaluar pa incidente.

Sipas policisë, 30-vjeçari ka kundërshtuar me forcë arrestimin, duke reaguar në mënyrë agresive ndaj uniformave blu. Ai dyshohet se ka goditur fizikisht dhe ka kërcënuar punonjësit e policisë gjatë momentit të ndalimit, duke rënduar edhe më tej pozitën e tij ligjore.


Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku jetonin dy shqiptarët, autoritetet greke zbuluan dhe sekuestruan rreth 13.8 gramë kokainë. Hetuesit dyshojnë se pikërisht kjo sasi lënde narkotike mund të ketë qenë shkaku kryesor i konfliktit mes tyre.


Pas përfundimit të veprimeve procedurale, të dy shtetasit shqiptarë u arrestuan për vepra penale që lidhen me narkotikët. Ndërkohë, 30-vjeçari përballet edhe me akuza shtesë, përfshirë plagosje të rrezikshme, kanosje, ushtrim dhune ndaj punonjësve të policisë, si dhe fyerje.


Të dy të arrestuarit pritet të dalin përpara Prokurorisë së Selanik, ku do të njihen me masat dhe akuzat zyrtare ndaj tyre.

“KORÇA BOOM”


bottom of page