Shkarkimi i Veliajt dhe zgjedhjet e pjesshme në Tiranë: avokati tërhiqet nga mbrojtja
- Korca Boom
- 2 days ago
- 1 min read
Avokati Jordan Daci ka njoftuar se është tërhequr nga mbrojtja ligjore e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në procesin që pritet të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese. Në një postim në rrjetet sociale, Daci bëri të ditur se është tërhequr nga rasti për shkak të një konflikti interesi, pa dhënë më shumë detaje.
Ndërkohë, ditën e nesërme, Erion Veliaj pritet të lërë për disa orë qelinë për t’u paraqitur në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin nga detyra, si dhe dekretit të Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.
Në postimin e tij, avokati shkruan se pas një vlerësimi të kujdesshëm në përputhje me ligjin dhe Kodin e Etikës, ka konstatuar se është në konflikt interesi për shkak të angazhimeve të tij dhe të studios ligjore në raste të tjera që janë ende në proces, si dhe për arsye të tjera që ligji, etika dhe morali e detyrojnë të mos marrë pjesë si mbrojtës në raste të tilla. Për këto arsye, ai bëri me dije se nuk do të jetë mbrojtësi i Veliajt para Gjykatës Kushtetuese në gjykimin e nesërm.
"KORCA BOOM"



















