Shkronjë kapitale në fillim, “gërma dore” në mes dhe kapitale në fund! Si është shkruar dokumenti i policisë?
- 3 hours ago
- 2 min read
Nuk do të ndalemi te masa administrative dhe as te diskutimi nëse ajo është e drejtë apo jo. Kjo është një çështje më vete dhe mund të vlerësohet në bazë të rrethanave dhe ligjit.
Ajo që na tërhoqi vëmendjen këtë herë është mënyra se si është shkruar dokumenti nga punonjësi i policisë.
Dhe këtu, sinqerisht, ka shumë për të diskutuar.
Bëhet fjalë për një dokument zyrtar, i cili duhet të jetë i qartë, korrekt dhe i shkruar sipas rregullave bazë të gjuhës shqipe. Por mjafton një vështrim i tij për të vënë re gabime të shumta drejtshkrimore dhe një përdorim aspak normal të shkronjave.
Në disa raste, fjala nis me shkronjë kapitale, vazhdon me “germa dore” në mes dhe përfundon sërish me shkronjë kapitale. Një mënyrë shkrimi që të tërheq menjëherë vëmendjen dhe që nuk të krijon përshtypjen e një dokumenti të kontrolluar me kujdes përpara se të përdorej zyrtarisht.
Përveç kësaj, në dokument vihen re edhe gabime të tjera ortografike, përdorim i panevojshëm i shkronjave të mëdha dhe probleme në mënyrën e formulimit.
Dhe këtu lind pyetja: si është e mundur që një dokument zyrtar të dalë në këtë formë?
Nuk po themi që një gabim drejtshkrimor ndryshon domosdoshmërisht përmbajtjen e një mase administrative. Por kur bëhet fjalë për një akt zyrtar, mënyra se si shkruhet dhe paraqitet dokumenti ka rëndësi.
Një punonjës policie, ashtu si çdo zyrtar tjetër, kur harton një dokument në emër të institucionit që përfaqëson, duhet të tregojë korrektësi edhe në shkrim.
Sepse dokumentet zyrtare nuk janë një mesazh i zakonshëm në rrjetet sociale dhe as një shënim personal.
Ato duhet të jenë të sakta, të lexueshme dhe, mbi të gjitha, të respektojnë rregullat bazë të gjuhës shqipe.
Ndaj, këtë herë pyetja nuk është nëse masa administrative është e drejtë apo jo.
Pyetja është shumë më e thjeshtë:
A nuk duhet të kontrollohet një dokument zyrtar përpara se të firmoset dhe të përdoret, sidomos kur gabimet janë kaq të dukshme?
“KORÇA BOOM”
















