Shpresa për marrëveshje mes palëve, tregjet e naftës reagojnë menjëherë...
- 6 days ago
- 1 min read
Shpresat për rifillimin e dialogut që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme kanë sjellë një lehtësim të përkohshëm në tregjet globale të naftës, duke bërë që çmimet të bien nën nivelin e 100 dollarëve për fuçi gjatë ditës së sotme.
Megjithëse bisedimet e fundjavës në Islamabad mes palëve rivale nuk arritën një marrëveshje, një zyrtar amerikan konfirmoi se kontaktet diplomatike po vazhdojnë dhe se është shënuar progres drejt një zgjidhjeje. Në të njëjtën linjë, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif deklaroi se përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit janë ende aktive.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump bëri të ditur se Irani ka shprehur gatishmëri për një marrëveshje, por theksoi se SHBA nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që i mundëson Teheranit zhvillimin e armëve bërthamore.
Që prej fillimit të konfliktit më 28 shkurt, SHBA dhe Izraeli janë përfshirë në një përplasje të drejtpërdrejtë me Iranin, i cili ka kufizuar ndjeshëm kalimin në Ngushticën e Hormuzit një nga rrugët më të rëndësishme detare për furnizimin global me naftë dhe gaz.
Para përshkallëzimit të situatës, rreth një e pesta e furnizimit botëror me energji kalonte përmes kësaj ngushtice, çka e bën çdo zhvillim aty me ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, SHBA ka paralajmëruar masa të forta ndaj anijeve iraniane dhe atyre që bashkëpunojnë me to, ndërsa Irani ka reaguar me kërcënime për kundërpërgjigje ushtarake në rajon, duke rritur edhe më tej tensionet.
“KORÇA BOOM”
















