Shpëtohet 85-vjeçarja! Zjarrfikësit zbresin nga tarraca për të hyrë në banesë
- 2 hours ago
- 1 min read
Një 85-vjeçare është shpëtuar këtë të shtunë nga punonjësit e zjarrfikëses në qytetin e Vlorës, pasi ndodhej e vetme në banesën e saj dhe nuk mund të lëvizte.
Sipas informacioneve, e moshuara kishte rënë brenda në shtëpi dhe kërkonte ndihmë, por nuk ishte në gjendje të ngrihej apo të hapte derën e jashtme të banesës.
Për shkak se dera ishte e blinduar dhe 85-vjeçarja nuk mund ta hapte, punonjësit e zjarrfikëses u detyruan të ndërhyjnë nga tarraca e pallatit për të hyrë në banesë.
Zjarrfikësit zbritën në ballkonin e apartamentit ku jetonte e moshuara dhe më pas arritën të hapnin derën për të hyrë brenda dhe për t’i dhënë ndihmën e parë.
Pas ndërhyrjes, e moshuara u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
"KORCA BOOM"
















