top of page

Si qëndron e vërteta e kërkesës së dytë të SPAK në Kuvend për Belinda Ballukun

  • 5 hours ago
  • 2 min read

SPAK i ka dërguar Kuvendit një kërkesë të dytë për arrestimin e Ballukut.


Sipas burimeve nga brenda Kuvendit të Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar 15 ditë më parë një kërkesë të dytë të pa bërë publike për heqjen e mandatit dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me akuza të reja të cilat lidhen me sekuestrimin e vilës në Dhërmi, dyshuar si pronë e fshehur e Ballukut. Kjo vjen 6 muaj pas kërkesës së parë të SPAK-ut, e cila u rrëzua në 12 mars në seancë plenare me 82 vota të mazhorancës.


Sipas të njëjtave burimeve, kjo situatë ka shkaktuar tensione në administratën e Kuvendit, deri edhe në presion për largim nga puna të personit që e ka protokolluar kërkesën. Megjthatë deri më sot për këtë kërkesë nuk ekziston as edhe një njoftim në faqen e Prokurorisë së Posaçme apo në atë të Gjykatës së Posaçme.

Me një tjetër version, ditën e djeshme ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Ai i bëri thirrje SPAK-ut të mos veprojë me standarde të dyfishta. Sipas tij sekuestrimi nga SPAK i vilës në Dhërmi, e rëndon pozitën penale të Ballukut dhe duhet ta detyrojë Prokurorinë e Posaçme të veprojë menjëherë duhet t’i drejtohet Kuvendit për heqjen e mandatit dhe të kërkojë arrestimin e saj, duke e cilësuar këtë si një test për barazinë para ligjit.


Pra në prononcimin e Bardhit, drejtësia ende nuk ka bërë një kërkesë të dytë për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres. E megjithatë vetë prononcimi i Bardhit pa ndonjë shkak të ditës, shton dyshimet për mungesë transparence.


Ajo që nuk shpjegohet dot në të gjithë këtë histori nuk është heshtja e mundshme e mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, i cili e ka varur fatin e vet tek ai i Ballukut, por heshtja e SPAK-ut.


Cila është e vërteta? A ekziston një kërkesë e dytë e dërguar 15 ditë më parë në adresën e Kuvendit të Shqipërisë? Nëse po, pse SPAK-u nuk e ka bërë publike? Cila do të ishte arsyeja e mungesës së transparencës së Prokurorisë së Posaçme, në rastin e dorëzimit të kërkesës së dytë për arrestimin e Belinda Ballukut? A po i jep mundësi mazhorancës heshtja publike e prokurorisë që të blejë kohë deri në fillim të sesionit të ardhshëm parlamentar pas pushimeve?


Njësoj si herën e parë, SPAK-u dhe kreu i tij Klodian Braho kanë detyrim publik transparencën për ekzistencën ose jo të një vendimi të rëndësishëm si kërkesa në Kuvend për arrestimin e Belinda Ballukut. /Vox News

“KORÇA BOOM”


bottom of page