top of page

“E çuan familja dhe miqtë, jo shteti”, motra e 28-vjeçarit të plagosur

39 minutes ago
2 min read

Motra e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka reaguar publikisht lidhur me dërgimin e të riut në Itali për trajtim të specializuar.


Përmes një postimi në Instagram, ajo ka përgënjeshtruar pretendimet se transferimi i vëllait të saj është mundësuar nga shteti shqiptar, duke theksuar se gjithçka është realizuar falë përpjekjeve të familjarëve, miqve dhe personave që u kanë ardhur në ndihmë.


Reagimi vjen pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se kishte dhënë udhëzime për mbulimin e shpenzimeve të ndërhyrjeve mjekësore të 28-vjeçarit.


Motra e Erjonit u ka bërë thirrje mediave të publikojnë informacione të sakta dhe të mos e përdorin rastin e vëllait të saj për qëllime politike.


“Ju falënderojmë të gjithëve që jeni interesuar dhe shqetësuar për shëndetin e vëllait tonë, por duam që në këto momente të qëndrojmë larg pjesës politike”, shkruan ajo.


Më tej, ajo falënderon personat që morën iniciativën për dërgimin e të riut në Itali, ndërsa kundërshton deklaratat se kjo është bërë me urdhër të kryeministrit.


“STOP FAKE NEWS! E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe JO SHTETI. Shpërndani lajme të sakta”, shprehet motra e 28-vjeçarit.


Ajo akuzon gjithashtu kryeministrin se po përpiqet të marrë protagonizmin e ngjarjes dhe të politizojë një situatë të rëndë që lidhet me shëndetin e vëllait të saj.


Në fund të mesazhit, motra ndan edhe një dedikim prekës për Erjonin, duke shprehur dëshirën që ai të kthehet sa më shpejt pranë familjes, shëndoshë e mirë.


“Të duam pa fund, ERJON! Kthehu në shtëpi shëndoshë e mirë, duke buzëqeshur, t’ia gëzojmë zemrën mamit dhe babit”, përfundon ajo.


Erjon Vishkulli u plagos në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. I riu është dërguar në Itali për trajtim të specializuar, ndërsa familjarët shpresojnë që ndërhyrjet mjekësore t’i shpëtojnë shikimin.

“KORÇA BOOM”


bottom of page