top of page

Sinodi i Shenjtë zgjedh Mitropolitin e ri të Korçës

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 11 hours ago
  • 3 min read

Pas mbledhjes, Sinodi i Shenjtë ka zgjedhur Mitropolitin e ri të Korçës, zotin Anastas.

Sinodi i Hirshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Joan, u mblodh sot, më 16 shtator 2025, të Qendrës Sinodike të Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës, në përputhje me Statutin e Kishës, dhe kreu zgjedhjet e mëposhtme:


Zgjodhi me vota të plota si Mitropolit të Gjirokastrës, Hirësinë e tij, Mitropolitin e deritanishëm të Amantias, z. Nathanail. Fronëzimi i Mitropolitit të ri do të bëhet më 20 shtator 2025, në orën 11:00, në Kishën Katedrale të Ngjalljes së Krishtit, në Gjirokastër.


Zgjodhi me vota të plota si Mitropolit të Korçës, Hirësinë e tij, Episkopin e deritanishëm të Krujës, z. Anastas. Fronëzimi i Mitropolitit të ri do të bëhet më 27 shtator 2025, në orën 11:00, në Kishën Katedrale të Ngjalljes së Krishtit, në Korçë.


Në vijim, dy Mitropolitët e sapozgjedhur dhanë Mesazhin e Madh në paraklisën e Qendrës Sinodike.


Mitropoliti i Gjirokastrës z. Nathanail (Stergiu)


Hirësia e tij, Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail (Stergiu), lindi në Taksiarhas të Trikalas, në vitin 1957. Ai kreu studimet në shkollën e mesme “Athoniadha” në Malin e Shenjtë (1978) dhe në Fakultetin Teologjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut (1982).


U qeth murg në Manastirin e Hirshëm të Lavrës së Madhe të Malit të Shenjtë (1979), u hirotonis dhjakon (1982) dhe prift (1987) nga Hirësia e Tij, Episkopi i Rodostolit, Krisostomi.


Nga viti 1991 deri në vitin 2012, ka shërbyer si prift enorie, atë shpirtëror dhe predikues në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës, si dhe mësues në liceun kishtar “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër.


Në janar të vitit 2012 mori gradën episkopale të priftërisë nga Fortlumturia e ndjerë, Kryepiskopi Anastas, dhe u ngarkua me kujdesin e Kishës Katedrale të sapondërtuar të Ngjalljes së Krishtit në Tiranë. Gjithashtu, ka shërbyer deri më sot si Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë.


Më 7 prill 2016, Episkopata e Amantias u ngrit në rang Mitropolie dhe Episkopi Nathanail u caktua Mitropolit Titullar i saj. Është anëtar i bordit ekzekutiv të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”.


Mitropoliti i Korçës z. Anastas (Mamaj)


Hirësia e tij, Mitropoliti i Korçës, z. Anastas (Mamaj), lindi në Vlorë, në vitin 1979. Ai kreu studimet në Departamentin e Gjuhës Greke në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Athinës (1999), u diplomua në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe mori diplomë në Administrim Biznes (MSc) (2001-2005). Më vonë ndoqi studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” (2017) dhe në Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar LOGOS, ku mori diplomë (BSc) në Studime Teologjike Sociale dhe Shkenca Fetare (2023).


Në vitet 2005-2009 ka mbajtur poste me rëndësi në Bankën Italo-Shqiptare dhe nga viti 2009 deri në vitin 2017 ka pasur poste drejtuese në Union Bank. Nga viti 2006 deri në vitin 2014 ka qenë anëtar i Këshillit Kleriko-Laik të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mitropolitit të ndjerë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Ignat.


U hirotonis dhjakon më 22 janar 2018 nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi z. Anastas, u hirotonis prift më 20 tetor 2019 dhe mori titullin e Arkimandrit më 9 gusht 2020.


Nga viti 2017 deri më sot kontribuon në administrimin e pasurisë kishtare dhe aktiviteteve ekonomike të Kishës së Shqipërisë. Është Drejtor Ekzekutiv i Institucionit Universitar “LOGOS”, përfaqësues i Kryepiskopit në Këshillin Ekzekutiv dhe anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”. Gjithashtu, është këshilltar në Institucionin Arsimor “Frymë Dashurie” dhe nga data 3 dhjetor shërben si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës dhe Durrësit. Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën greke dhe italiane./ CNA

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page