top of page

Skënderbeu dhe merkatoja, ja arsyeja e vërtetë pse FIFA ende nuk e ka zhbllokuar

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Skënderbeu vijon të figurojë në sistemin e FIFA-s si klub me merkato të pezulluar, ndërsa drejtuesit kanë ende kohë për të zgjidhur situatën përpara mbylljes së afatit kalimtar veror.


Aktualisht, nga klubet e Kategorisë Superiore, vetëm Tirana, Dinamo dhe Skënderbeu rezultojnë me merkato të bllokuar. Ndërkohë, pjesa më e madhe e klubeve të ndëshkuara nga FIFA i përkasin Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Dy emrat më të fundit që iu shtuan kësaj liste janë Dinamo dhe Kukësi, me vendime të marra më 5 dhe 6 gusht.


Ndryshe nga Tirana dhe Dinamo, të cilat janë ndëshkuar pas humbjes së çështjeve në FIFA me ish-lojtarë apo anëtarë të stafit, rasti i Skënderbeut lidhet me një problem administrativ.


Më 19 maj 2026, klubi korçar u pezullua pasi nuk kaloi kontrollin administrativ dhe financiar të FIFA Clearing House, në lidhje me detyrimet për tarifat e formimit dhe trajnimit të lojtarëve.


Për të hequr pezullimin, Skënderbeu duhet t'i nënshtrohet një rivlerësimi nga FIFA Clearing House dhe të shlyejë gjobën prej 5 mijë dollarësh. Vetëm pas përmbushjes së këtyre detyrimeve klubi do të mund të regjistrojë zyrtarisht futbollistët e afruar gjatë merkatos.


Edhe pse klubet me merkato të bllokuar mund të arrijnë marrëveshje me lojtarë, ata nuk mund të federohen dhe të aktivizohen në ndeshjet zyrtare pa marrë miratimin e FIFA-s.


Afati për zgjidhjen e këtyre çështjeve përfundon më 31 gusht 2026, ndërsa kampionati nis më 22 gusht. Nëse procedurat vonohen, disa skuadra, përfshirë edhe Skënderbeun, rrezikojnë ta nisin sezonin pa pasur në dispozicion përforcimet e merkatos, të cilat mund të mbeten në tribunë deri në zhbllokimin e situatës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page